
Zëdhënësi i Albin Kurtit, Përparim Kryeziu, së bashku me nënkryetaren e Bordit të RTK-së, Arta Berisha dhe anëtarin, Driton Hetemi, janë takuar në njërën nga kafenetë afër ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Ende nuk është bërë i ditur qëllimi i këtij takimi.

Ky takim i sotëm i një zyrtari të lartë qeveritar me përfaqësuesit e lartë të RTK-së, ngrit edhe më shumë shqetësimet për ndërhyrje të drejtpërdrejt politike në transmetuesin publik, për çka RTK është akuzuar vazhdimisht. Gjithashtu ngrit shqetësimet për një Bord të dirigjuar nga Qeveria që e cenon seriozisht pavarësinë e Transmetuesit Publik.
Kryetari Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, vazhdimisht ka deklaruar publikisht se anëtarët e Bordit janë të pavarur, figura me integritet dhe nuk lejojnë në asnjë mënyrë ndërhyrje politike.
Ajo që dihet është se Bordi i RTK-së ka dështuar të kompletojë përbërjen e menaxhmentit të ri që tash e 9 muaj prej se janë zgjedhur. Gjithashtu dihet që Drejtori i Përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj, dhe ish ushtruesi i detyrës së zv/Drejtorit të Përgjithsëm, Arsim Halili dhe kryetari i Bordit, Besnik Boletini janë në një proces të hetimit nga prokuroria speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, tejkalim të kompetencave.
Sipas informatave jozyrtare që kemi, policia ka kryer hetimet dhe ka dorëzuar raportin te prokurori i rastit ku ka gjetur elemente të veprës penale në këtë rast.
Nuk dihet ende nëse prokurori ka konfirmuar raportin ose nëse ka ngritur aktakuzë ndaj krerëve të RTK-së nën dyshimet për kryerjen e veprës penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare.











