Gjyqtarët francezë kanë lëshuar fletë-arrest për presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, vëllain e tij Maher al-Assad, dhe dy zyrtarë tjerë të lartë, lidhur me përdorim të armëve të ndaluara kimike kundër civilëve në Siri, ka thënë një burim brenda gjyqësorit për agjencinë e lajmeve Reuters.
Fletarrestimet , të cilat lidhen me akuza për përfshirje në krime kundër njerëzimit dhe në krime lufte vijnë pas një hetimi penal për armët kimike në qytezat Douma dhe Gutën Lindore, në gusht të vitit 2013.
Si pasojë e atyre sulmeve kanë vdekur më shumë se 1.000 njerëz.
Ekspertët e Kombeve të Bashkuara kanë thënë se shtypja e evidentuar në Siri përbën krim lufte.
Kjo është edhe hera e parë që është lëshuar fletarrestim për përdorim të armëve kimike në Guta, më 2013, ka thënë Mazen Darwish, avokat dhe themelues i Qendrës Siriane për Media dhe Liri të Shprehjes, i cili e ka hapur një rast në Francë.
Siria e mohon përdorimin e armëve kimike, mirëpo një hetim i përbashkët i OKB-së dhe Organizatës për Ndalim të Armëve Kimike, ka gjetur se Qeveria siriane e ka përdorur agjentin nervor sarin në sulmet e prillit të vitit 2017 dhe e ka përdorur disa herë klorin si armë.












