Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

FSK-ja gati për dislokim në Gazë, pret institucionet për vendimin

29/03/2026 - 09:49
në Kryesore, Lajme
A A
FSK-ja gati për dislokim në Gazë, pret institucionet për vendimin
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp
Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë duke u bërë gati për dislokim në Gazë, dhe po e presin vetëm dritën e gjelbër nga institucionet shtetërore.

Kosova është zotuar se do të dërgojë trupa në këtë vend të shkatërruar nga lufta në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), mekanizëm që është paraparë të formohet me themelimin e Bordit të Paqes – nismës së presidentit amerikan, Donald Trump për arritjen e paqes në botë.

Krahas vendimit për dërgimin e trupave në Gazë, Kuvendi duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm.

Komandanti i Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, Jasper Jeffers, ka bërë të ditur se Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – përfshirë Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar se do të angazhojnë trupa, me qëllim të ofrimit të sigurisë në Gazë.

Megjithatë, në publik dihet pak se kur do të dislokohen ushtarët e FSK-së atje, dhe sa do të jetë numri i tyre.

Bordi i Paqes dhe Forca Ndërkombëtare Stabilizuese

Bordi i Paqes është themeluar më 22 janar në Davos të Zvicrës.

Themelimi i Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën është pjesë e planit 20-pikësh të Trumpit për të arritur paqe në Gazë.

Plani është pranuar në tetorin e vitit të kaluar nga Izraeli dhe Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Lufta në Gazë nisi në tetor të vitit 2023, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, kur u vranë mbi 1.200 njerëz në Izrael dhe mori qindra pengje.

Sulmet hakmarrëse izraelite në Gazë shkaktuan mijëra të vrarë, krizë urie dhe dëme të mëdha infrastrukturore.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese besohet se do të ketë për detyrë ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjes së armëpushimit në Rripin e Gazës.

Krahas Kosovës e Shqipërisë, pjesë e Bordit të Paqes janë edhe: Argjentina, Armenia, Azerbajxhani, Bahreini, Bjellorusia, Bullgaria, Kamborxhia, Egjipti, El Salvadori, Hungaria, Indonezia, Izraeli, Jordania, Kazakistani, Kuvajti, Mongolia, Maroku, Pakistani, Paraguaji, Katari, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uzbekistani dhe Vietnami.

Hapat deri te finalizimi i procesit

Funksionalizimi i punës së Kuvendit të Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese më 25 mars, e ka hapur një pjesë të rrugës që duhet të ndiqet deri te nisja e ushtarëve.

Kjo pasi Ligji për dërgimin e FSK-së jashtë vendit parasheh që vendimi në këtë drejtim merret nga Qeveria e Kosovës.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, propozimvendimi për dislokimin e FSK-së në Gazë është përcjellë për miratim në Qeveri më 3 mars. Pas miratimit aty, vendimi kalon në duart e ligjvënësve dhe në fund duhet të merret edhe miratimi i presidentit të shtetit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë ndër themelueset e Bordit të Paqes dhe e ka përkrahur plotësisht nismën e Trumpit. Mandati i saj presidencial skadon më 4 prill.

Mundësitë për angazhim prej muajit maj?

Transmetuesi publik i Izraelit, KAN ka raportuar më 14 mars se Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS) do të nisë angazhimin në Gazë që nga muaji maj, përfshirë këtu edhe angazhimin e dhjetëra ushtarëve nga Kosova.

Me gjithë interesimin e Radios Evropa e Lirë (REL) Qeveria nuk ka konfirmuar nëse ky informacion është i saktë dhe as nuk ka treguar as kur do ta procedojë në Kuvend vendimin për këtë angazhim të FSK-së.

Njëjtë, përgjigje nuk ka kthyer as Presidenca e Kosovës, lidhur me afatet eventuale për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

Maqedonci: Fillimisht planifikohen të dërgohen mbi 20 ushtarë

Zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes i kanë thënë REL-it se janë në komunikim të vazhdueshëm me zyrtarët e FNS-së për përgatitjet që duhet të bëhen dhe se për këtë qëllim është caktuar edhe një ushtarak ndërlidhës që “ndihmon në përgatitje zbarkimin e kontigjentit të FSK-së në Gazë”.

“FNS, ashtu si dhe Bordi i Paqes, përbëjnë dy mjete që e kanë qëllimin e njëjtë e që është ruajtja e sigurisë dhe paqes në Gazë, andaj dhe për dërgimin e FSK-së në Gazë ka pasur koordinim mes Qeverisë dhe institucioneve të tjera”, është thënë në përgjigjen e ministrisë, duke rikujtuar se Forca Ndërkombëtare Stabilizuese ka edhe mandat të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë në një intervistë për mediumin lokal në Kosovë, Tëvë1, se në Gazë planifikohen të dërgohen “fillimisht mbi 20 ushtarë” të fushave të ndryshme.

“Do të dominojë EOD-ja (Njësia për Eliminimin e Mjeteve të pashpërthyera) dhe deminimi, që është një specialitet tashmë i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Do të kemi edhe oficerë dhe nënoficerë nga operacionet speciale, por gjithashtu do të kemi edhe oficerë planifikues që do të jenë të atashuar në komandën e Forcës Stabilizuese. Por, do të kemi edhe ekipe mjekësore të cilat do të jenë pjesë e këtij kontingjenti të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Maqedonci më 24 mars.

Hollësi për kohën e dislokimit nuk ka dhënë as vetë Bordi i Paqes, duke u thirrur në “siguri operacionale”.

“Objektivi kryesor i FNS-së është të stabilizojë mjedisin e sigurisë në Gazë”, thuhet në një përgjigje të bordit drejtuar REL-it.

Për kolonelin e pensionuar të FSK-së, Afrim Veselin, numri i trupave që do të dërgohen në Gazë “nuk është aq i rëndësishëm”.

Sipas tij, FSK-ja ka oficerë e nënoficerë të përgatitur me standardet e NATO-s dhe ky operacion do t’i hapë Kosovës dhe ushtrisë së saj edhe më tej rrugën në arenën ndërkombëtare.

“Kjo do të ndikojë fuqishëm edhe në rrugën tonë drejt NATO-s”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

REL-i i është drejtuar edhe Qeverisë së Shqipërisë për të kuptuar se në çfarë faze janë përgatitjet atje, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

“Prania e FSK-së në Gazë, kthim i nderit për ndihmën e marrë më 1999”

Më 24 mars janë bërë 27 vjet nga nisja e bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në ish-Jugosllavi për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.

Bombardimet që zgjatën 78 ditë u ndalën një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, pas së cilës forcat jugosllave u tërhoqën nga Kosova dhe u krijua forca paqeruajtëse ndërkombëtare, e udhëhequr nga NATO-ja, KFOR.

Kosova ka shprehur hapur aspiratën e saj për t’u bërë pjesë e NATO-s, derisa misioni i saj paqeruajtës, KFOR-i, vazhdon të jetë i pranishëm në Kosovë, ndonëse me numër më të reduktuar sesa në periudhën e pasluftës. Fillimisht përbëhej nga rreth 50.000 trupa, derisa sot numëron 4.767 trupa, nga 33 vende të botës.

Ish-koloneli Veseli thotë se Kosova, përmes angazhimit të saj në Gazë, është duke kthyer “nderin dhe ndihmën që e mori më 1999”.

“Nga një vend që më 1999 ishte vetë viktimë, tani Kosova dhe ushtria e saj marrin një operacion të tillë”, tha ai.

Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Melos Kolshi, i tha Radios Evropa e Lirë se anëtarësimi i Kosovës në struktura të tilla “forcon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit dhe e thellon bashkëpunimin me aleatët kryesorë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Në një kontekst më të gjerë gjeopolitik, zhvillime të tilla kontribuojnë në konsolidimin e partneritetit strategjik me SHBA-në dhe në ruajtjen e mbështetjes së vazhdueshme amerikane, e cila historikisht ka qenë vendimtare për shtetndërtimin dhe sigurinë e Kosovës”, tha ai.

Angazhimi i FSK-së jashtë vendit

Kjo nuk do të ishte hera e parë që pjesëtarë të FSK-së dislokohen jashtë vendit.

Më 2021, kjo forcë u dërgua në mision në Kuvajt në kuadër të bashkëpunimit me forcat amerikane, ndërsa më 2022 në Ishujt Falklands, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar.

Pjesëtarë të FSK-së marrin pjesë edhe në trajnime jashtë vendit në kuadër të bashkëpunimit me shtete të ndryshme.

Në këtë drejtim, FSK-ja ka partneritet të ngushtë me Gardën Kombëtare të shtetit amerikan të Ajovës.

FSK-ja është në proces të shndërrimit në ushtri dhe planet janë që gjithçka të përmbyllet deri më 2028.

JU REKOMANDOJMË

Çfarë duhet të bëj, të këndoj? Rama ironizon para mediave në Procesin e Berlinit

Çfarë duhet të bëj, të këndoj? Rama ironizon para mediave në Procesin e Berlinit
22/10/2026 - 13:28

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur sot në Samitin e Berlinit që po mbahet në Mal të Zi. Rama në një prononcim para mediave duke iu referuar...

Më shumëDetails

Kamberi: Diaspora mund ta forcojë përfaqësimin shqiptar në Kuvendin e Serbisë

Kamberi: Diaspora mund ta forcojë përfaqësimin shqiptar në Kuvendin e Serbisë
22/10/2026 - 13:27

Bartësi i listës së “Koalicionit Shqiptar” thotë se bashkimi i tetë subjekteve synon maksimalizimin e votës shqiptare, ndërsa pjesëmarrja e diasporës mund të jetë vendimtare për rritjen e...

Më shumëDetails

Kundërshtoi sanksionet e SHBA-së, PE i jep Çmimin Saharov Gjykatës Ndërkombëtare Penale

Kundërshtoi sanksionet e SHBA-së, PE i jep Çmimin Saharov Gjykatës Ndërkombëtare Penale
22/10/2026 - 13:24

Parlamenti Evropian i dha të enjten Gjykatës Ndërkombëtare Penale Çmimin Saharov për Lirinë e Mendimit, duke sinjalizuar kundërshtimin ndaj sanksioneve të SHBA-së që kërcënojnë punën e gjykatës. Çmimi...

Më shumëDetails

Musliu: Deputetët duhet ta rishqyrtojnë Ligjin për Specialen nëse presidentja e kthen në Kuvend

Musliu: Deputetët duhet ta rishqyrtojnë Ligjin për Specialen nëse presidentja e kthen në Kuvend
22/10/2026 - 13:20

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se deputetët duhet ta rishqyrtojnë Ligjin për Dhomat e Specializuara nëse presidentja e kthen atë në Kuvend, duke...

Më shumëDetails

Irlanda shqyrton rritjen e trupave në KFOR

Irlanda shqyrton rritjen e trupave në KFOR
22/10/2026 - 13:18

Irlanda po shqyrton mundësinë e rritjes së ndjeshme të numrit të ushtarëve që kontribuojnë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, pas përfundimit të misionit paqeruajtës të Kombeve...

Më shumëDetails

Kurti pas takimit me kancelarin austriak: Kosova është gati për statusin e vendit kandidat në BE

Kurti pas takimit me kancelarin austriak: Kosova është gati për statusin e vendit kandidat në BE
22/10/2026 - 13:05

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se është takuar me Kancelarin Federal të Austrisë, Christian Stocker, në Shën Stefan, ku kanë diskutuar për prioritetet e...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Mbrojtje juridike profesionale për punëtorët e KEK-ut: SPEK nënshkruan marrëveshje me zyrën e avokatisë Feka & Partners

    Mbrojtje juridike profesionale për punëtorët e KEK-ut: SPEK nënshkruan marrëveshje me zyrën e avokatisë Feka & Partners

    118 Shpërndaje
    Shpërndaje 47 Tweet 30
  • Haxhiu “zbulon” garën mes dy kandidatëve për kryetar të PDK-së

    101 Shpërndaje
    Shpërndaje 40 Tweet 25
  • “Denta Care” e Adonis Bujupit u zbulua duke ofruar shërbime ‘filler’ pa licencim, dokumentet zbulojnë mospërputhje në raportimin e Inspektoratit

    98 Shpërndaje
    Shpërndaje 39 Tweet 25
  • Shtesat për fëmijë në shtator, ja sa ishte numri i përfituesve

    91 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 23
  • Gani Geci përfundon në spitalin e Pejës, ja arsyeja!

    87 Shpërndaje
    Shpërndaje 35 Tweet 22

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë