Dy ditë më parë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nëshkroi koalicion parazgjedhor me partinë Nisma Socialdemokrate (NISMA).
Pas zyrtarizimit të këtij koalicioni, Haradinaj, ftoi në një koalicion të gjerë opozitar edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës.
“Pa asnjë kusht, pa asnjë kërkesë, pa asnjë temë, jam i hapur për çdolloj bashkëpunimi që ata e vlerësojnë, çfarëdo mënyre, nuk u qes kushte as për lista, as për poste, për ne e rëndësishme është që Kosova të anëtarësohet në NATO, pra të jemi të sigurt dhe ta garantojmë Kosovën, pa hyrë në NATO siguria jonë është gjithmonë çështje e hapur” tha Haradinaj në ftesën e tij.
Në lidhje me ftesën e Haradinajt janë deklaruar për “Gazeta Blic” nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Nënkryetari i kësaj partia, Lutfi Haziri, tha se LDK-ja ka qëndrimin e vet politik dhe se nuk mbështet as Qeverinë dhe as ndonjë koalicion tjetër .
Ai tha se të njëjtit kanë zgjedh “Rrugën e Re” për rikthimin e LDK-së në pushtet.
“Tash e një kohë LDK-ja e ka qëndrimin e vet politik ndërtuar edhe në kuadër të platformës programore dhe të operacionalizimit të programeve, i cili parasheh një rol prirës në udhëheqjen e shtetit. Parimi “AS-AS” nënkupton se LDK-ja nuk mbështet as Qeverinë po as edhe një lloj forme koalicionesh me partitë opozitare. Ne kemi zgjedh “Rrugën e Re”, rrugën tonë, rrugën e rikthimit të LDK-së” deklaroi Haziri.
Tutje Haziri i’u uroj suksese të gjitha koalicioneve.
“Ne i urojmë sukses të gjithë atyre koalicioneve ideologjike, koalicioneve të tyre që të gjejnë dhe të hulumtojnë rrugën e vet për të mbet në skenën politike” deklaroi Haziri për “Gazeta Blic”.
Lutfi Haziri, Nënkryetar i LDK-së!
Kryetari i AAK-së, Haradinaj, tha se duhet të bashkohen të gjithë bashkë që t’i japin Koosvës një program qeverisës dhe ta ndryshojne Qeverinë Kurti për shkak të humbjeve që i’u ka shkaktu qytetarëve.
”Po vijnë zgjedhjet, të rregullta janë në fund të vitit, por mund të vijnë edhe më të hershme në verë, ose dikur, ne dëshirojmë të japim nga vetja prova dhe shembuj se mund të bashkohemi të gjithë, t’i japim Kosovës një program qeverisës dhe ta ndryshojmë Qeverinë Kurti për shkak të humbjeve që ua shkakton qytetarëve të vendit në përgjithësi dhe rreziqeve të kësaj qeverisje për vitet që vijnë nëse vazhdojnë, apelojmë të gjithë që të bashkohen dhe veç kemi disa partneritete të dakorduara”, tha Haradinaj në Rubikon .












