Gjatë kësaj jave pritet të mbahet takimi ndërmjet presidentes së vendit, Vjosa Osmani dhe liderëve të partive politike, ku do të diskutohet për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.
Takimi pritet të mbahet më 31 korrik, në orën 14:00, në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndërsa subjektet politike tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Lidhur me këtë çështje në një prononcim për Gazeta Blic, u deklarua deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Enver Dugolli. Ai tha se thirrja nga presidentja Osmani është veprim i natyrshëm dhe i bazuar në kompetenca dhe përgjegjësi ligjore e kushtetuese.
“Thirrja e takimit për liderët e partive politike nga presidentja e vendit është veprim i natyrshëm dhe i bazuar në kompetencat dhe përgjegjësit e saj ligjore e kushtetuese”, deklaroi ai.
Tutje ai tha se po futemi në ciklin e rregullt të zgjedhjeve dhe se sipas tij, konsultat janë në frymën e dakordimit për një datë të zgjedhjeve parlamentare.“Tani ashtu siç e përcakton ligji për zgjedhjet po futemi në ciklin e rregullt të zgjedhjeve dhe konsultat janë në frymën e dakordimit për një datë ku do mbaheshin zgjedhjet e rregullta parlamentare”, tha ai.
Dugolli për në fund tha se sipas tij tani nuk ka formë tjetër më për të shkuar në zgjedhje përveq atyre të rregullta.
“Tanimë nuk ka formë tjetër për të shkuar në zgjedhje përveç asaj të rregulltë”, përfundoi deputeti nga LVV-ja Enver Dugolli.













