Grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në përleshjet që pasuan, u vranë edhe tre sulmues nga grupi terrorist serb.
Por, edhe pse janë bërë pothuajse dy javë nga ky sulm, kjo çështje po vazhdon të jetë diskutimi jo vetëm në Kosovë, por edhe në shtetet e tjera.
Këtë e thotë në një intervistë për Front Online edhe deputetja e PDK-së, njëherit kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë, Ganimete Musliu.
Sipas saj, më 24 shtator Kosova pësoi sulm terrorist apo agresion nga shtetit serb.
Musliu, thotë se Serbia nuk ka ndryshuar mendësinë e saj karshi Kosovës, dhe se kjo e fundit herë pas here është e gatshme që të krijojë situata të tilla të cilat mund të kenë edhe përmasa gjenocidiale.
“Të them të drejtën ajo çka është më e rëndësishme është që tani më edhe ndërkombëtarët edhe vendorët, por edhe secili që ka qenë i involvuar në problemin e Kosovës me Serbinë ose Serbisë me Kosovën, tashmë e ka shumë të qartë që Serbia nuk ka ndryshuar mendësinë e saj karshi Kosovës dhe Serbia herë pas here është e gatshme që të krijojë situata të tilla të cilat mund të kenë edhe përmasa gjenocidiale”, ka thënë Musliu, për Front Online.
Musliu: Serbia duhet të sanksionohet dhe të dënohet, të mësohet t’i respektojë fqinjët e saj
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, në një intervistë për Front Online ka folur edhe për atë se a duhet të sanksionohet Serbia pas sulmit që ndodhi në Banjskë të Zveçanit.
Sipas saj, shteti serb jo vetëm që duhet të sanksionohet por edhe të dënohet.
“Prandaj, ne të gjithë bashkë si shoqëri demokratike vendore e ndërkombëtare duhet me i dhënë një mësim Serbisë dhe po patjetër mendoj që Serbia duhet të sanksionohet dhe të dënohet për aktin terrorist ose agresionin që e bëri ndaj shtetit të Kosovës më 24 shtator”, është shprehur Musliu.
Ndërsa, kur është pyetur se a beson që BE-ja do të vendos sanksione ndaj Serbisë, Musliu ka pasur një kërkesë për këtë të fundit.
“Unë nuk dua që të jap një përgjigje hipotetike ose të paragjykoj vendimet e Bashkimit Evropian. Ajo çka mua më intereson dhe çka unë kërkoj nga Bashkimi Evropian dhe i gjithë spektri ndërkombëtar është që Serbia të dënohet për sulmin terrorist që ka shkaktuar në Kosovë. Mendoj që Serbisë duhet t’i jepet një mësim përfundimtar që të dijë t’i respektojë fqinjët e saj”, ka shtuar ajo.
Deputetja Musliu: Shtimi i trupave të KFOR-it tregon se Kosova është shtet me rrezikshmëri të lartë
Ditë më parë NATO-ja njoftoi se ka miratuar forca shtesë për t’i dislokuar në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – për shkak të rritjes së tensioneve.
E, për këtë vendim të NATO-s ka folur në një intervistë për Front Online, kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë, Ganimete Musliu.
Ajo, ka thënë se ky vendim i ka dy anë të medaljes.
“Vet fakti që tanimë ata kanë marrë vendimin, kjo i ka të dy anët e medaljes. Në njërën anë është mirë që Kosova ka KFOR-in të pranishëm ose prezent në Kosovë sepse garantohet një siguri më e madhe, por në anën tjetër shtimi i forcave ose i trupave të KFOR-it, pavarësisht nga cilido shtet që vijnë në Kosovë e ka edhe anën tjetër”, ka deklaruar Musliu, për Front Online.
Musliu, ka thënë se Kosova tashmë është kthyer mbrapa pas sulmit që ndodhi në veri.
“Por, e ka edhe anën tjetër që Kosovën e paraqet ose e konstaton si një shtet me rrezikshmëri të lartë dhe pasiguri ose një vend destabilizues dhe kjo anë e medaljes faktikisht tregon që Kosova tash po kthehet mbrapa sepse kur një shtet ndihet i kërcënuar, i pasigurt ka nevojë për masa shtesë të sigurisë ai shtet nuk shihet asnjëherë i përshtatshëm për investime, as për turizëm dhe për asgjë tjetër, dhe fatkeqësisht këtu mund të them që Kosova është kthyer tashmë pas këtij sulmi me dekada mbrapa sepse njihet si një vend i pasigurt”, ka shtuar ajo.
Musliu: Kurti e Rama t’i ulin shpatullat e bajraktarizmit, njëri po i mëshon thumbit e tjetri patkoit
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, që kur u krye sulmi në Banjskë të Zveçanit po deklaron që KFOR-it duhet të rivendos kontrollin në veri të Kosovës.
E, për deklaratën e tij ka pasur reagime të shumta.
Për këtë ka folur në një intervistë për Front Online, edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
Sipas saj, Kurti e Rama duhet të ulen bashkë dhe të bisedojnë si dy burrështetas dhe t’i ulin shpatullat e bajraktarizmit.
“Ajo çka unë shoh urgjente, emergjente është që Edi Rama dhe Albin Kurti t’i ulin shpatullat e bajraktarizmit ose flamujt e bajraktarizmit, të ulen si dy liderë ose si dy burrështetas të kombit tonë nëse mund ta quajmë ashtu dhe të ulen të diskutojnë dhe të koordinohen edhe me deklarata edhe me përfaqësim edhe me kërkesa ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe në përgjithësi aleatëve tonë”, ka thënë Musliu, për Front Online.
Musliu, ndër të tjera thekson derisa njëri i mëshon thumbit e tjetri patkoit, kjo nuk i bën nder as Kosovës e as Shqipërisë.
“Vet fakti, që nëse mund të themi kështu se njëri i mëshon thumbit e tjetri patkoit kjo nuk i bën nder as Kosovës, as Shqipërisë as kombit tonë, kështu që unë mendoj se ata duhet të reflektojnë të dytë, ta rregullojnë të paktën komunikimin zyrtar sepse ia kanë borxh dy vendeve tona dhe të ulen të diskutojnë dhe për Kosovën të kenë qëndrimin e njëjtë dhe të godasin në pikën e njëjtë”, është shprehur deputetja Musliu.
Deputetja e PDK-së: S’dua të krijoj panik, por siguria në vend nuk është aspak stabile
Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu, në një intervistë për Front Online, ka deklaruar se situata e sigurisë në Kosovë nuk është aspak stabile.
Ndërsa, thotë se Kosova nuk guxon të fokusohet vetëm në veri, por se masat e sigurisë duhet të shtohen edhe në pjesë të tjera të vendit.
Duke shtuar, se sulme të tjera mund të përsëriten.
“Ne, tashmë nuk guxojmë të fokusohemi vetëm në veri të Kosovës, ne duhet që masat e sigurisë t’i shtojmë në tërë territorin e Kosovës duke pas parasysh që Serbinë nuk e kemi vetëm në veri të Kosovës, e kemi deri në Karaçevë, te Kamenica e në vende të tjera. Kështu që, është mirë me qenë në pozitat ose në gatishmëri për çdo provokim të mundshëm”, ka thënë Musliu, për Front Online.
Pohon se institucionet e sigurisë duhet të jenë në nivelin më të lartë të përgatitjes.
“Nuk dua të shpërndaj panik e frikë te qytetarët e Kosovës, por institucionet e sigurisë duhet të jenë në nivelin më të lartë të përgatitjes dhe të jenë të gatshëm për gjithçka sepse Serbia vazhdon të jetë e njëjta karshi Kosovës. Provokimet që vijnë nga Vuçiqi herë pas here dhe kur e dimë që Vuçiqi ishte një nga shërbëtoret e Millosheviçit mund të themi se Serbia është nga mendësia millosheviçiane për apetitet e saj për Kosovën, kështu që çdo tentativë e destabilziimit të Kosovës qoftë nga brenda qoftë nga jashtë”, ka shtuar deputetja.
Musliu: Serbia urgjentisht ta arrestojë Radojiçiqin, t’ua dorëzojë autoriteteve të Kosovës
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se Milan Radojiçiq duhet të arrestohet nga Serbia dhe t’i dorëzohet shtetit të Kosovës.
Ndërsa, arrestimin, pastaj lirimin, dhe ndalimin e hyrjes në Kosovë, Musliu e quan teatër të shtetit serb.
“Tani këtë teatrin që e bën shteti serb me Radojiçiqin është total i pakuptimtë dhe qesharak. Vet fakti që mundohen që komplet aksionin ose sulmin ndaj Kosovës ta shkëpusin nga shteti dhe t’ia atribuojnë vetëm Radojiçiqit këtë nuk do të mund ta bëjnë sepse tashmë dihet botërisht që në atë sulm ka qenë i involvuar i tërë shteti serb, pastaj arrestimi, pastaj lirimi dhe shqiptimi i kësaj masës që të mos hyjë në Kosovë të them të drejtën nuk është Serbia ajo që vendos kush hyn edhe kush del në Kosovë dhe vet fakti që Kosova është përgjegjëse për personat që i lejon ose nuk i lejon të hyjnë në Kosovë, mendoj që e bën edhe shumë qesharak vendimin për Radojiçiqin”, është shprehur ajo, për Front Online.
Por, jo vetëm Radojiçqin, Musliu ka thënë se edhe kriminelët tjerë që morën pjesë në sulm duhet t’i dorëzohen Kosovës.
“Unë mendoj që Serbia urgjentisht duhet ta arrestojë Radojiçiqin dhe t’ua dorëzojë autoriteteve kosovare dhe po ashtu Serbia duhet të jep përgjegjësi për sulmin terrorist që e ka bë më 24 shtator. Hapi i parë që duhet të jetë është dorëzimi i Radojiçiqit, por edhe i kriminelëve të tjerë sepse ju e dini që Radojiçiqi nuk ishte vetëm atë ditë”, ka thënë ndër të tjera deputetja e PDK-së.
Musliu: Lista Serbe të shpallet organizatë që përkrah terrorizmin, është e pakuptimtë të ulen në ulëset e Kuvendit
Ditë më parë, deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës Ganimete Musliu, ka thënë se nëse jo KQZ e Kushtetuesja, deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të mobilizohen, e të mos e lejojnë Listën Serbe të futet në Kuvend.
Krejt, kjo deklaratë e saj erdhi pas sulmit në veri, ku përgjegjësinë për këtë sulm e mori tashmë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq.
Ajo, ka thënë se Lista Serbe e mbështet terrorizmin dhe agresionin ndaj Kosovës.
Ndërsa, ka folur edhe për kërkesën e saj karshi kësaj partie.
“Unë mendoj se duhet të mobilizohemi në të gjitha mënyrat që Lista Serbe mos të futet më në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Unë pres që këto ditë Qeveria e Republikës së Kosovës njëjtë siç ka bërë edhe me organizata të tjera kriminale në Serbi që i ka shpallur organizata kriminale. Unë mendoj se duhet të veprohet njëjtë dhe të kërkoj që ti propozoj organeve të drejtësisë që Listën Serbe ta shpallë një organizatë e cila mbështet terrorizmin dhe nuk ka të drejtë të futet në Kuvend sepse nuk ka asnjë kuptim më që në këto ulëse të Kuvendit të Republikës së Kosovës të ulet Lista Serbe e cila shpallë tri ditë zie për terroristët të cilët vranë policin Afrim Bunjaku dhe destabilizuan komplet vendin”, ka thënë Musliu, për Front Online.
Por, se a ka mbështetjen e deputetëve të tjerë për këtë kërkesë.
“Nuk kam biseduar me deputetë por ne kemi precedane kur deputetët janë organizuar dhe i kanë penguar deputetët e tjerë për të hyrë në sallë. Vet fakti që ju e dini se disa herë Lëvizja Vetëvendosje kur ishte në opozitë na i ka mbyllë dyert e Kuvendit saqë ka ardhë edhe deri të grushtimi i ambasadores amerikane atëherë. Unë mendoj që me pak vullnet edhe me pak organizim, nëse jo organet e drejtësisë gjithmonë po them si deputet mund të iu pamundësojmë pjesëmarrjen në seancë”, ka shtuar ajo.
E, pyetur se a do t’iu mbyllen edhe këta dyert Listës Serbe, Musliu ka dhënë këtë përgjigje.
“Normal se ne nuk do t’i prangosim se nuk është roli jonë ai, por mund t’ua pamundësojmë hyrjen në Kuvend. Me një organizim shumë të thjeshtë mund t’i pamundësohet, vetëm duhet me pas vullnet edhe gatishmëri”, është shprehur Musliu.













