Ai ka thënë se bllokimi aktual institucional nuk është çështje numrash, por zgjedhje e vetëdijshme politike e LVV-së për të fituar kohë që synimin, sipas tij, e ka në zgjedhje të reja.
“A po kërkohet funksionalizimi i Republikës, apo po prodhohen kushtet për zgjedhje të reja dhe për një mandat edhe më të madh?” ka shkruar Gashi.
Gashi i ka bërë thirrje Kurtit që ta shtyjë përpara sa më shpejt konstituimin e Kuvendit, duke i thënë se nëse nuk i ka 62 votat e deklaruara, “ne t’i japim votat tona”.
“I ke 62 vota? Konstituoje Kuvendin. Nëse nuk i ke, ne t’i japim votat tona. Kryetarin e Kuvendit propozoje kë të duash. I ke 62 vota? Formoje Qeverinë. Për Presidentin konsensual dhe jopartiak flasim kur të vijë ajo pikë. Por mos e mbaj Republikën peng për një kalkulim elektoral”.
Ndërkohë që ka shtuar se edhe opozita duhet ta kuptojë momentin.
“LDK duhet të jetë konstruktive, por jo naive. Nuk po e bllokon marrëveshjen për një emër të caktuar, që edhe e kishte në garë për President. Të gjithë e dimë se një marrëveshje e tillë, në këto rrethana, nuk do të ndodhë. PDK po pret shtatorin, me shpresën për kthimin e tre liderëve nga Haga si të pafajshëm. Ky zhvillim mund ta ndryshojë ndjeshëm konfigurimin politik. AAK po zgjedh një përballje më të drejtpërdrejtë, edhe me mjete konfrontuese që dikur i përdorte Kurti. Dhe duhet pranuar: kjo mënyrë politike Kurtit i ka dhënë rezultat. Por opozita nuk duhet ta kopjojë Kurtin. Duhet të ndërtojë një alternativë më të fortë se Kurti”, ka shkruar tutje ai.













