Ushtruesi i Detyrës se Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Njazi Rexha, në një intervistë për “Betimi për Drejtësi”, e ka vlerësuar si të rënduar gjendjen me lëndë në këtë Prokurori.
“Gjendja e ngarkesës me lëndë në Mitrovicë është e rënduar, mirëpo kjo nuk është vetëm këto dy-tre vitet e fundit, po kemi të bëjmë me një kronologji se prej kur daton ngarkesa me lëndë në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë”, është shprehur ai.
Sipas tij, kjo ngarkesë nisi në vitin 2008 kur sistemi i judikaturës është dëbuar nga objekti i Gjykatës në Mitrovicë në pjesën veriore dhe janë transferuar për një kohë të shkurtër në ish-Gjykatën Komunale të Vushtrrisë.
“Kjo periudhë ka qenë një marrëveshje në mes eprorëve të organeve që mos të punohet asnjë lëndë më, mirëpo të merren në trajtim vetëm lëndët e natyrës urgjente. Kështu kemi vepruar nga viti 2008 deri në vitin 2012. Me transferimin në Gjykatën Komunale neve na janë ndarë tri zyre. Një zyre për kryeprokurorin, një zyre për Prokurorinë Komunale- tani Departamenti i Përgjithshëm dhe një zyre për Prokurorinë e Qarkut- tani Departamenti i Krimeve të Rënda”, tha Rexha.
Sipas tij, këto tri zyre nuk i kanë plotësuar as për së afërmi nevojat për punë që janë paraqitur për Prokurorinë e Mitrovicës.
“Mirëpo, duke u gjendur në një situatë të tillë, kemi qenë të obliguar që vetëm prokurori kujdestar ka punuar në zyrë, ndërsa të gjithë prokurorët tjerë kemi qëndruar në shtëpi dhe kështu me rotacion për çdo javë kemi funksionuar në Prokurori gjatë vitit 2008 e ka vazhduar deri në vitin 2010”, ka thënë ai.
Rexha ka shtuar se duke parë që situata po ngarkohej me lëndë dhe duke parë se nuk kanë më as hapësirë të pranojnë lëndët nga Policia, kishin bërë marrëveshje me eprorë e stacioneve policore që lëndët të mbeten në stacionin policor në sirtarë dhe në një të ardhme të afërme kur plotësohen kushtet, prokurorët t’i marrin për trajtim.
“Mirëpo, duke parë se është rritur numri përtej mase dhe se qëndrimi jonë trejavor në shtëpi ishte më i pamundur, për shkak se numri i lëndëve filloi të rritet në mënyrë drastike, atëherë kemi vendosur që të bëjmë një zgjidhje dhe kemi arritur një marrëveshje me eprorët e stacioneve policore që secili prej prokurorëve ta marrë nga një zyrë nëpër stacione policore dhe t’i trajtojë ato lëndë që gjenden në ato stacione policore”, shtoi Rexha.
Ai theksoi se kështu vepruan deri në vitin 2012, kur edhe kanë është marrë një vendim prej eprorëve që të fillohet edhe me seancat gjyqësore.
“Kemi filluar me seancat gjyqësore, mirëpo ka qenë shumë evidente se kapaciteti ka qenë i kufizuar pasi një sallë e ka shfrytëzuar edhe Gjykata Komunale, por njëkohësisht e shfrytëzonte edhe Gjykata e Qarkut- tani Departamenti i Krimeve të Rënda”, ka shtuar tutje ai.
U.d Kryeprokurori tha se përveç mungesës së objektit, kanë pasur edhe numër të vogël të prokurorëve.
“Departamenti i Krimeve të Rënda ka funksionar me tre prokurorë që për një kohë të shkurtër mbeti me dy prokurorë, ndërsa Departamenti i Përgjithshëm ka funksionuar me dy prokurorë. Hapësira ishte tepër e vogël, kështu që të gjitha lëndët të cilat i pranonim në punë kemi qenë të obliguar që t’i vendosim nëpër paketa dhe t’i vendosim në dyshemenë e zyrave”, ka shpjeguar Rexha.
Kjo, sipas tij ka ndodhur deri në tetor të vitit 2017 kur u arrit marrëveshja për integrimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë.
“Atëherë te ne kanë ardhur gjithsej 10 prokurorë të nacionalitetit serb, jemi kompletuar edhe me stafin administrativ të nacionalitetit serb. Disi pak situata u qetësua- arritëm të stabilizohemi me numër të prokurorëve dhe tani ishim më komod në përfaqësimin e seancave gjyqësore. Mirëpo, për fat të keq kjo situatë nuk zgjati shumë. Kjo zgjati deri nëntor të vitit 2022 atëherë kur merret një vendim politik- strukturat serbe, u detyruan të gjithë prokurorët e nacionalitetit serb, por njëkohësisht edhe stafin, edhe gjyqtarët dhanë dorëheqje dhe Prokuroria mbet në pikën më kritike”, ka thënë u.d Kryeprokurori.
Kështu, ai deklaroi se Departamenti i Përgjithshëm kishte mbetur me vetëm një prokuror, ndërsa Departamenti i Krimeve të Rënda me tre prokurorë, gjë që sipas tij e bënte të pamundur përballimin e vëllimit të madh të punës nga ana e kësaj Prokurorie.
“Mirëpo, ia kemi bë vetes për detyrë që së pari të marrim dhe të bëjmë një kategorizim të lëndëve të atyre prokurorëve serbë, të shohim se cilat janë lëndët që kanë filluar me veprime hetimore, të marrim dhe së paku t’i stopojmë që mos të vijë deri te kalimi i afateve hetimore. Pastaj kemi bërë karakterizimin e lëndëve sa i përket afatit të parashkrimit në mënyrë që t’i stopojmë edhe këto dhe mos të vijnë deri te parashkrimi i lëndëve. Në momentin kur e kemi marrë dhe kemi bërë vlerësimin e këtyre lëndëve, prokurori ka qenë i ngarkuar me 1 mijë lëndë në mesin e këtyre 1 mijë lëndëve 180 kanë qenë me aktvendim mbi fillimin e hetimeve”, ka thënë ai.
Megjithatë, Rexha thotë se kanë arritur të stabilizojnë gjendjen edhe me ndihmën e Këshillit Prokurorial, të cilët kanë dërguar me transfer të përkohshëm prokurorë.
Ai ka theksuar se problemi me numër të vogël të prokurorëve është përcjellë gjithmonë, duke mos u kompletuar duke u thirrë edhe në atë se duhet të rezervohen vendet për nacionalitetin serb.
“Mirëpo, më vonë ka pasur lëvizje të prokurorëve, kalimi në departamente të tjera, ka pasur edhe shkuarje në pension, por vendet e punës të tyre asnjëherë nuk janë zëvendësuar nga ana e Këshillit Prokurorial. Edhe kështu tani Prokuroria ka mbetur në këtë gjendje për mungesë të prokurorëve pasi që nuk ka pasur mundësi nga ana e Këshillit të Prokurorial që të bëhet zëvendësimi i personave të cilët kanë bërë lëvizje”, ka theksuar ai.
Për më shumë, ndiqeni intervistën me ushtruesin e detyrës se Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Njazi Rexha, e cila transmetohet në platformat online të “Betimi për Drejtësi”.














