Anëtarja e Komisionit të Pavarur për Media, Luljeta Aliu, ka bërë me dije se vendimi i këtij institucioni për gjobitje e disa kompanive kabllore është vetëm hapi i parë.
Ajo ka vlerësuar se operatorët e dënuar me 100 mijë euro kanë mashtruar qytetarët.
Në “Interaktiv” të KTV-së, Aliu ka treguar se vendimi i parë është marrë konform rregullores ekzistuese.
“Vendimi i sotëm iu ka referuar rregullores ekzistuese që ka pasur parasysh vetëm sanksionimin fillimisht të operatorëve, por mendoj se s’është e s’do të mbetet veprimi jonë i vetëm, meqë dëmi ka qenë i madh e s’ka qenë vetëm material, por edhe i humbjes së besimit”, ka thënë Aliu.
Ajo ka paralajmëruar edhe masa tjera të KPM-së ndaj këtyre kompanive.
“Ky është hapi i parë, në atë se çfarë mundemi. Jam e sigurt se s’do të mbetet me kaq sepse ka edhe elemente të tjera e institucionet e tjera do të bashkërendohen e do të bashkëveprojmë dhe jam shumë e sigurt se mandatin që e kanë do ta marrin shumë seriozisht”, është shprehur Aliu.













