Gjykata e Lartë i dha sot, më 23 korrik 2026, goditjen përfundimtare përpjekjes gjyqësore të shoqërisë “MABCO Constructions” S.A., të Behgjet Pacollit, për të pezulluar emërimin e z. Vegim Hoxha si administrator të shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vendosi mospranimin e rekursit të MABCO-s kundër vendimit nr. 510 (30-2026-3371), datë 2 prill 2026, të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Ky është dështimi i tretë radhazi i MABCO-s në këtë proces gjyqësor. Shoqëria e Behgjet Pacollit humbi fillimisht në Gjykatën e Shkallës së Parë, më pas humbi edhe në Gjykatën e Apelit dhe sot rekursi i saj nuk u pranua as nga Gjykata e Lartë.
Si rrjedhojë, mbetet në fuqi emërimi i z. Vegim Hoxha si administrator i shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k. Administrimi i shoqërisë koncesionare vazhdon të mbetet në duart e “2A Group”, shoqërisë së Valon Ademit, përmes administratorit të zgjedhur prej saj.
Vendimi i sotëm mbyll përfundimisht rrugën e rekursit të MABCO-s në këtë procedurë dhe konfirmon se z. Vegim Hoxha vazhdon të ushtrojë ligjërisht funksionin e administratorit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.













