
Ferizaj- Gjykata Themelore në Ferizaj ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj avokatit Besnik Berisha dhe të dyshuarve N.Xh., I.S., dhe R.C., të cilët u arrestuan të enjten nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Ushtrim ndikimi”, “Pengim i procedurës penale” dhe “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Genta Hoxha, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Po në këtë Gjykatë, pas pak pritet të fillojë seanca përgatitore, për të vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë.
“Betimi për Drejtësi” merr vesh që avokati Berisha nuk do të jetë i pranishëm në këtë seancë, për shkak se është i shtrirë për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Ferizaj, të enjten (13 korrik), njoftoi se katër të dyshuarit u arrestuan gjatë një aksioni, ku janë kontrolluar dhe bastisur shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të gjashtë personave.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë dhe njësive tjera mbështetëse, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për lëshimin e urdhëresës për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, sot, ka realizuar një aksion ku, me ç’rast gjatë këtij aksioni, janë kontrolluar dhe bastisur shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të gjashtë (6) personave të pandehur dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë arrestuar katër (4) të dyshuar me inicialet N.Xh., B.B., I.S., dhe R.C., për shkak të dyshimit të veprave penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare “ nga neni 386 paragrafi 1, nën paragrafi 1.5 të KPRK-së dhe “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Kurse, avokati i Berishës, Naim Rudari, në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, dje ka thënë se pretendimet e Prokurorisë janë se ndërlidhen me rastin “Brezovica”. Në anën tjetër, prokurori i rastit, Rasim Maloku, konfirmoi arrestimi i katër të dyshuarve u bë për pengim në një rast të fajdesë, i cili rrjedh nga rasti “Brezovica”. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.











