Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Koka, ka folur për Gazeta Blic për gjykimin e ish krerëve të UÇK-së që ka nisur të hënën në Hagë.
Ai thotë se e gjitha nisi nga aktiviteti i Dick Martyt, që më pas u vërtetua se deklaratat e tij ishin të pasakta, ishin mashtrime e fabrikime dhe se kosovarët nuk i ikin drejtësisë, teksa shton se lutet për ata që janë në Hagë.
“Të gjithë qytetarët e dinë se kjo ka filluar në bazë të aktivitetit të Dick Martyt, të paraprirë nga aktivitete tjera armiqësore, që kanë rezultuar në një vendim të caktuar të rëndësishëm në Evropë, dhe pastaj në bazë të asaj është formuar kjo gjykatë, e cila fatkeqësisht është formuar nga Kosova dhe u vërtetua se qëllimi i saj ishte i paqëllimtë, në kuptimin jo më të saktë të caktuar, sepse u vërtetua se ato deklarata të Dick Martyt ishin të pasakta dhe tash të shohim se çfarë rrjedh, pasi ne kosovarët jemi mësuar me gjykime dhe se nuk i ikim asnjëherë drejtësisë, prandaj çfarëdo që ndodh tash e tutje, ne lutemi për djemtë tanë, por që fillimisht duhet të konstatojmë se ato rrena, mashtrime, fabrikime të Dick Martyt dolën të pasakta, fatmirësisht dhe kjo është më e rëndësishmja që duhet të përmendet fillimisht”, thotë Koka.
Lidhur me zërat për mundësinë e zhbërjes së Gjykatës Speciale, ai thotë se ajo s’do të duhej të ekzistonte fare dhe se po të kishte qenë kur është votuar e t’i kishte ngritur dy gishta, tani do të mendonte t’i këpuste ata gishta.
“Në radhë të parë sipas mendimit tim, ajo s’ka qenë dashur të ekzistojë fare. Prandaj, po të isha atje, kam deklaruar se po t’i kisha ngritur dy gishta, unë sot do të mendoja t’i këpus ata dy gishta, do të pendohesha, përkatësisht nuk do t’i kisha ngritur fare. Ky është ai konstatimi im i prerë, se ajo nuk do të duhej të formohej fare”, vlerëson deputeti i VV-së.
Sipas tij, për gabimet që Kosova ka brenda, duhet të realizohen në Kosovë brenda Kushtetutës së vendit, shtetit e ligjeve tona.
“Ne, në qoftë se bëjmë gabime këtu brenda në Kosovë, jemi shtet ligjor demokratik, kemi gjyqet tona, juristët tanë me kompetencë profesionale, kemi sistemin tonë demokratik dhe të gjitha këto duhet të realizohen brenda Kushtetutës sonë, ligjeve tona, shtetit tonë, vëllimeve tona persona”, deklaron deputeti Jahja Koka.












