Pompat e derivateve jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Një rast i tillë ka ndodhur edhe sot në pikë të ditës në pompën e derivateve ‘Ballkan Petrol’ në fshatin Rakaj në Ferizaj.
Sinjali mëson se dy persona ende të paidentifikuar kanë hyrë brenda pompës dhe nën kërcënimin e armëve kanë arritur që t’ia marrin punëtorit të gjithë pazarin ditor, rreth 600 euro.
Bazuar në dëshminë e punëtorëve të dhënë para hetuesve policorë, të dyshuarit kanë qenë të maskuar dhe posa kanë marrë paratë janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Me t’u denoncuar rasti, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Në lidhje me rastin, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.












