Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka kritikuar ashpër qeverisjen e Albin Kurtit, duke pretenduar se Qeveria nuk po merret me problemet reale të vendit, ndërsa është e fokusuar në marrjen e kontrollit mbi institucionet.
Në emisionin “Debat Plus” Gruda tha se Kosova ka arritur në situatën që të furnizohet me gurë dhe rërë nga Serbia për shkak të mungesës së licencimit të gurëthyesve vendorë.
“Sot që po flasim ka pasur edhe furnizim me gurë e me rërë të vendpunishteve të Kosovës, sepse Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale nuk ka licencuar gurëthyes të mjaftueshëm. Është dashur të merren gurë edhe rërë prej Serbisë. Deri këtu kemi ardhur, por për këto nuk flitet”, ka deklaruar Gruda.
Sipas tij, kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk po merret me këto çështje, por vetëm me konsolidimin e pushtetit.
“Për këto tema nuk flitet, sepse Albin Kurtit nuk i interesojnë këto tema. Atij i intereson pushteti absolut”, është shprehur deputeti i PDK-së.
Gruda ka kritikuar edhe refuzimin e projektit të gazit amerikan, duke e cilësuar atë si një tjetër sinjal negativ në raport me Shtetet e Bashkuara.
“Refuzimi i gazit amerikan është shenja e fundit. Amerikanët nuk kanë pasur dilemë a mundeni apo jo, amerikanët kanë thënë: duhet”, ka thënë Gruda.













