Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda ka zbërthyer në thelb dallimin mes partive konvencionale, aktualisht në opozitë dhe partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Duke trajtuar mungesën e rikthimit të votave te opozita edhe pas pesë viteve të Vetëvendosjes në pushtet, Gruda thotë se arsye kryesore për këtë është dallimi i madh mes PDK-së dhe Vetëvendosjes. Mes partive konvencionale dhe atyre populiste.
I pyetur pse nuk dalin votuesit e VV-së te opozita, Gruda u përgjigj:
“Ka shumë arsye, por ta them një kryesore, pse unë mendoj që votuesit e Vetëvendosjes nuk dalin kaq lehtë te opozita. Sepse ka një dallim të madh mes partive tradicionale dhe Vetëvendosjes. PDK, LDK dhe AAK janë parti konvencionale, të ndërtuara për të shërbyer brenda sistemit. Janë parti të marume për të shërbyer në një shoqëri normale. Ne kemi qenë demokracia më e mirë në Ballkan, para Albin Kurtit. Në anën tjetër, Vetëvendosje është parti jokonvencionale – parti që e sfidon sistemin”.
Në emisionin Paradoks në Paparaci të premten, deputeti Gruda mori një shembull konkret mes punës së tij në kuvend dhe aktivitetit në rrjetet sociale të një kolegu të tij nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilit nuk ia përmendi emrin.
“Që po ta marrë një shembull konkret: unë marrë tri orë me lexu një aktgjykim të Gjykatës me 70 faqe, një koleg i imi në Vetëvendosje e bën një video në TikTok, edhe merr më shumë shikime se kjo e imja. Prandaj ne nuk arrijmë të targetojmë më shumë votues”, shpjegoi ai.
“Kjo është politikë populiste, e ne nuk mundemi të bëhemi si ai”, përfundoi Gruda.













