Përparim Gruda, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në emisionin “Tempus” në T7, ka folur për votimin e ligjit për Gjykatën Speciale dhe, ndër të tjera, ka deklaruar se do të ishte e pandershme që PDK-së t’i kërkohej votimi i Presidentit në këmbim të votimit të ligjit.
Gruda tha se shpreson që të mos kërkohet votimi i Presidentit në këmbim të votimit të ligjit për zhbërjen e Gjykatës Speciale. Megjithatë, edhe nëse një kërkesë e tillë bëhet, sipas tij, PDK-ja është në gjendje të bëjë gjithçka për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
Sa i përket votimit të ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend dhe qëndrimit të LDK-së, Gruda tha se kjo parti mund të ketë shqetësime për vrasjet politike pas luftës, mirëpo, sipas tij, asnjëra prej tyre nuk është pjesë e aktakuzës së ngritur kundër ish-krerëve të UÇK-së.
“I kuptoj shqetësimet që i kanë njerëzit e LDK-së për vrasjet politike pas luftës, por asnjë nga vrasjet politike nuk është në aktakuzë dhe në vendimin dënues”, tha Gruda.
Në anën tjetër, duke folur për Lëvizjen Vetëvendosje (VV), Gruda tha se krenaria e saj për faktin se nuk e ka votuar Gjykatën Speciale duhet të vlejë ende edhe sot, duke votuar propozimin e PDK-së për ligjin për Gjykatën Speciale.
“Nëse VV-ja krenohet sot se nuk e ka votu Gjykatën Speciale, është koha me e bo testin. Sa të sinqertë kanë qenë atëherë, matet me votën sot këtu”, shtoi Gruda.












