
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje.
Kështu e ka pësuar së fundi një familje në rrugën ‘Behije Dashi’ në Gjakovë, pasi hajnat kanë thyer shtëpinë e tyre.
Sinjali mëson se rastin në Polici e ka denoncuar pronari i shtëpisë, i cili pasi ishte kthyer në Kosovës, ka vërejtur se shtëpia ka qenë cak i hajnave.
Bazuar në dëshminë e tij, persona të panjohur kanë hyrë me forcë brenda shtëpisë dhe kanë arritur që të marrin armë zjarri legale dhe stoli ari në vlerë të rreth 4 mijë eurove.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.












