
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje.
Kështu e ka pësuar mbrëmë edhe një familje në fshatin Sllatinë e Epërme të Vitisë, ku persona të panjohur kanë hyrë me forcë brenda një shtëpie.
Sinjali mëson se hajnat kanë shfrytëzuar dritaren e shtëpisë në katin përdhese, ku më pas kanë depërtuar në dhomat dhe hapësirat tjera të shtëpisë.
Sipas pronarit i cili ka denoncuar rastin në Polici, të dyshuarit kanë arritur që të marrin stoli ari në vlerë të rreth 3 mijë eurove e po ashtu një armë zjarri e cila ndodhej në një kasafortë në dhomën e gjumit.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.












