Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka deklaruar në emisionin “DPT te Fidani” se presidenti i ardhshëm mund të jetë i propozuar nga ky subjekt politik edhe pa pasur koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Në qoftë se PDK-ja mbetet jashtë qeverisjes, atëherë nuk e besoj se duhet me thanë që jemi në koalicion se e bëmë njërin nga figurat e caktuara në PDK të cilët e meritojnë ata që e meritojnë, e bëmë presidenti tonë”, ka thënë Haliti në Klan Kosova.
Ai ka theksuar se PDK-ja nuk duhet të konsiderohet në koalicion vetëm për faktin se një figurë nga kjo parti mund të zgjidhet në postin e presidentit.
“Jo që s’duhet me ndihmu procesin, por ky president në kushtet kur PDK-ja mbetet në opozitë edhe presidenti është i PDK-së, atëherë opozitarizmi bëhet edhe me presidentin”, ka shtuar Haliti.
Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur sot në një konferencë për media se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 7 gusht.













