Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës e ka përmbushur përgjegjësinë e vet me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Sipas Hamzës, një prej detyrave kryesore të deputetëve është miratimi i ligjeve, ndërsa institucionet dhe mekanizmat përgjegjës janë të obliguar që ato t’i zbatojnë.
“Kuvendi e ka kryer punën e vet. Deputetët e kanë kryer punën e vet. Një prej detyrave dhe përgjegjësive kryesore është me aprovu ligje”, ka thënë Hamza.
Ai ka theksuar se ligjet e miratuara nga Kuvendi janë të zbatueshme për të gjithë dhe se të gjithë janë të detyruar t’i respektojnë ato.
Sipas tij, Kuvendi ka kompetenca të gjera kushtetuese, përfshirë edhe ndryshimin e Kushtetutës dhe çështjet që lidhen me marrëveshjet ndërkombëtare.
Hamza edhe më herët kishte theksuar se përgjegjësia për miratimin e ligjeve është e deputetëve dhe se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të bëhen përmes procedurave parlamentare./IndeksOnline/














