
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, edhe njëherë ka kërkuar mocion për rrëzimin e Albin Kurtit nga pushteti.
Pas sanksioneve nga BE dhe paralajmërimeve nga SHBA, Haradinaj ka thënë se është koha të veprohet dhe të bashkohen të gjithë deputet të opozitës e shumicës, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Ai ka theksuar se mocioni për shkarkimin e Kurtit sot është interes kombëtar.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Të dashur qytetarë të Kosovës,
I vetëdijshëm se Kosova me këtë kryeministër po hyn në një rrugë pa krye, para pak ditësh kërkova mocion për shkarkimin e Albin Kurtit.
Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës dhe paralajmërimet e SHBA-së se Qeveria e Kosovës është në rrugë të gabuar, e dëshmojnë se sa e rrezikshme dhe e pashpresë është gjendja, e cila fatkeqësisht do të shkojë duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë.
Prandaj sot është koha të veprohet dhe të bashkohen të gjithë ata që interes parësor e kanë Kosovën, qofshin në opozitë ose edhe deputetë të shumicës, e ta jetësojnë mocionin për shkarkimin e kësaj Qeverie.
Hezitimi për të vepruar në kohë të një krize kaq të thellë e me pasoja të paimagjinueshme për vendin është bashkëfajësi.
Mocioni për shkarkimin e Albin Kurtit, sot është interes kombëtar!












