Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka folur për krizën e gjatë të mos konstituimit të Kuvendit e kushtetutshmërinë e vendimeve të Albin Kurtit si kryeministër në detyrë.
Hasani ka deklaruar se nuk është pritur që pas zgjedhjeve, sistemi institucional të degjenerojë deri në këtë pikë.
“Pas certifikimit të zgjedhjeve nuk kanë qenë të dukshme ravijëzimet e kësaj situate çfarë po ndodhë, meqenëse siç thotë populli, dreqi s`kujtohet kështu. Ka qenë diçka që s`është pritë se mund të kanalizohet në këtë mënyrë dhe të degjenerojë në këtë sistem”, tha ai në Klan Kosova.
Hasani madje e ka quajtur uzurpim të pushtetit, sistemin ekzekutiv në Kosovë nga Albin Kurti e kabineti i tij, prej momentit kur janë betuar si deputetë të zgjedhur të legjislaturës së nëntë.
Ai thotë se është e qartë se pushteti duhet të dorëzohet me automatizëm kur certifikohesh si deputet.