Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka përmendur rastin kur këtij institucioni i ishte kërkuar të “flasë” për shaminë – përfundimi ishte se bartja e shamisë nëpër shkolla parauniversitare publike bie ndesh me Kushtetutën. I tillë, antikushtetues, sipas Hasanit është edhe shfuqizimi i udhëzimit administrativ nëse ndodh.
Hasani më tutje shtoi se udhëzimi administrativ për të cilin diskutohet nuk bën fjalë fare për shami, por për kodin e veshjes së fëmijëve të mitur, të drejtat e të cilëve mbrohen me Kushtetutën e Kosovës, ligjet e saj dhe me dokumente ndërkombëtare specifike, dokumente që, sipas nenit 22 të Kushtetutës, janë pjesë e pandarë e rendit kushtetues kosovar
“Në asnjërën prej këtyre akteve juridike, vendore dhe ndërkombëtare, nuk njihet e drejta e fëmijëve për të predikuar fe dhe edukim fetar nëpër shkollat publike, për të manifestuar ndjenjat fetare dhe ndjenjat tjera sipas kërkesës së prindërve apo kujdestarëve të tjerë të tyre ligjorë. Asnjë normë kushtetuese, ligjore dhe ndërkombëtare nuk thotë se fëmijët kanë të drejtë që të manifestojnë bindjet e tyre fetare dhe bindjet tjera sipas porosive të prindërve të tyre apo kujdestarëve të tjerë ligjorë”, tha Hasani.
Ai më tutje tha se synimi përfundimtar i tyre është uzurpimi i aseteve institucionale të shtetit të Kosovës dhe përdorimi i tyre për transformimin kulturor të shoqërisë, me kuptim islamizimin e saj gradual, nga shkaku se çdo gjë nis me fëmijët.













