Pas dështimit të radhës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidate për këtë post, theksoi se që nga 15 prilli Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet, sipas saj fillimisht për shkak të refuzimit të opozitës për të votuar verifikimin e mandateve të deputetëve, dhe tani për shkak të refuzimit të emrit të saj për kryetare.
“Nuk jam shumë optimiste që situata do të ndryshojë në seancën e nesërme, pasi qëndrimet e subjekteve opozitare janë bërë të qarta publikisht. Për bindjen time, mungon vullneti për të konstituar Kuvendin dhe për të kaluar më tej në procedurat për zgjedhjen e Qeverisë”, deklaroi Haxhiu për Telegrafi.com.
Ajo shtoi se përgjegjësia për konstituimin e Kuvendit u takon të gjitha subjekteve politike dhe jo vetëm mazhorancës apo Vetëvendosjes.
Ndërsa për zgjedhjen e Qeverisë, përgjegjësia bie mbi mandatarin dhe partinë fituese.