Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot ka marrë pjesë në konferencën “E ardhmja e Zgjerimit të Bashkimit Evropian: Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” që po mbahet në Zagreb të Kroacisë, njofton Veriu.Info.
Para ministrave të Ballkanit Perëndimor si dhe atyre nga Ukraina, Turqia, Gjeorgjia dhe Moldova, përfaqësuesve nga BE, Haxhiu thotë se rikonfirmoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë për një gjyqësor të pavarur, të paanshëm, efikas dhe profesional.
“Theksova se në rrugën reformuese, Republika e Kosovës tashmë ka filluar të shënojë rezultate në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, reformën penale dhe civile, si dhe rezultate konkrete në adresimin e të drejtave të njeriut”-ka shkruar ministrja.
Ajo gjithashtu ka thënë se ka përmendur të gjitha reformat që kanë ndërmarrë që nga fillimi i mandatit dhe progresin e arritur me theks ato që ndërlidhen me vetingun në sistemin e drejtësisë, pakon ligjore kundër krimit të organizuar dhe korrupsionin, adresimin e krimeve të luftës dhe veprimet që kemi ndërmarrë me qëllim të adresimit të dhunës në familje dhe me bazë gjinore.
“I njoftova të pranishmit se Ministria e Drejtësisë ka pasur gjithsej 35 masa dhe detyrime që dalin nga PKZMSA dhe se nga këto detyrime, 28 masa janë zbatuar plotësisht dhe se për 7 detyrimet e tjera, po punohet intensivisht drejt finalizimit dhe realizimit të tyre. Kjo Konferencë regjionale po mbahet në Zagreb-Kroaci, organizuar nga Ministria e Drejtësisë e Kroacisë në bashkëpunim Komisionin Evropian”, njoftoi ministrja Haxhiu.












