Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj kritikave dhe këshillave që, sipas tij, i drejtohen kësaj partie, duke thënë se LDK i takon anëtarësisë dhe jo funksionarëve.
Haziri ka thënë se e kupton shqetësimin e aktivistëve dhe militantëve që duan që LDK-ja të jetë partia e parë, por ka kritikuar ata që, sipas tij, fillimisht e kanë lartësuar partinë dhe më pas kanë shkruar “nekrologji” për të.
“I duroj e mundohem me i kuptu krejt ata që merren me LDK-në duke na këshillu e mësu se qysh duhet me u sjell, çka duhet e çka nuk duhet të bëjmë. Bile edhe ata që shpesh ju referohen autoriteteve si ‘patericë’, ‘harrën’ e çka jo tjetër. E di saktë për kend e bëjnë e për çfarë agjendash”, ka shkruar Haziri.
Ai ka shtuar se i kupton më së shumti aktivistët dhe militantët e partisë, të cilët, sipas tij, kërkojnë që LDK-ja të jetë e para.
“I kuptoj më së shumti aktivistat e militantët që vuajnë me zemër e me bindje dhe e duan LDK-në me qenë e para. Pa dalë e para, asnjë kryetar nuk e lënë rehat, duke ia kërku dorëheqjen”, ka deklaruar Haziri.
Sipas tij, LDK-ja mund të përballet me kërkesat e Republikës përmes debatit të brendshëm, marrëveshjeve politike dhe demokracisë së brendshme.
“LDK din e mundet me u përball me agjendën e Republikës, duke përballu kërkesat e saj me debat të brendshëm, marrëveshje politike apo demokraci të brendshme”, ka shkruar ai.
Haziri ka theksuar se periudha pas pavarësisë dhe pas Rugovës, sipas tij, ka dëshmuar se “pa LDK-në nuk ka as zgjidhje e as zgjedhje”.
“Periudha post-independente dhe post-Rugoviste, veç një gjë e ka konfirmu: që pa LDK-në nuk ka as zgjidhje e as zgjedhje. Stabiliteti e normalizimi i Republikës kalon përmes zyrave të LDK-së!”, ka shkruar Haziri.
Ai ka thënë se rikthimi i LDK-së ndodh përmes një marrëveshjeje të madhe politike, duke shtuar se kjo nuk duhet të dëmtojë demokracinë e brendshme të partisë.
“Koha më ka dhënë të drejtë që rikthimi i madh i LDK-së ndodh nga lart-poshtë, me marrëveshje të madhe politike, pa e dëmtu demokracinë e brendshme”, ka deklaruar Haziri.
Haziri ka vlerësuar rolin historik të LDK-së, duke thënë se kjo parti ka qenë “ringritëse” në periudha të vështira.
“LDK ishte parti ringritëse në një kohë të pakohë, sepse kur krejt ishin rrëzu e dorëzu, LDK nisi ringritjen tonë, si shoqni e organizume”, ka përfunduar Haziri.













