Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur në lidhje me vizitën që zhvilloi në Kosovë Zv.Ndihmësekretari Amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexandër Kasanof.
Haziri tha për “Gazeta Blic” se vizita e Kasanof në Kosovë dhe regjion, tregon kujdesin e qeverisë amerikane ndaj proceseve në Ballkanin Perëndimor.
Ai tha se i njëjti do të ndikojë pozitivisht në mbarëvajtjen edhe të dialogut.
“Vizita e z. Alexandër Kasanof dje e sot në Kosovë dhe në regjionin tonë, shënon kujdesin e vazhdueshëm të qeverisë amerikane ndaj proceseve të Ballkanit Perëndimor, në veçanti ndaj procesit të të normalizimit.Në formatin e ri, zv. Sekretari Kazanof sigurisht që përpos kujdesit në këtë proces, do të ndikojë pozitivisht në mbarëvajtjen edhe të dialogut, duke pasur parasysh vështirësit serioze në prag të procesit zgjedhor edhe në SHBA me 5 nëntor dhe në Kosovë më 9 shkurt” tha Haziri për “Gazeta Blic”
Ai tutje potencoi se Qeveria Kurti ka hyrë në ‘rrugë pa krye’ sa i përket çështjes së dialogut.
“Kjo qeveri ka hyrë në një rrugë pa krye sa i përket kësaj çështjeje sepse po bën tash e tri vite angazhime një hap para e dy prapa.Deri atëherë, do të presim që qeveria e re ta riformatojë, ta rishikojë besoj shumë dhe ta ndërtohë një dinamikë krejt tjetër sa I përket këtij procesi në mënyrë që të mbyllet njëherë e përgjithshmonë kjo çështje.” përfundoi Haziri përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”
Zëvendësndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof ka qëndruar të enjten për vizitë në Kosovë, ndërsa është takuar me presidenten e shtetit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Sipas njoftimit të Presidencës, në takim u diskutua për forcimin e mëtejshëm të aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për t’i përmbushur synimet e përbashkëta strategjike.
Ndërsa kryeministri Kurti shprehu vlerësimin e lartë për marrëdhëniet e fuqishme bilaterale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kontributit të tyre në çlirimin, pavarësimin dhe zhvillimin e shtetit tonë.












