Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill e ka përsëritur edhe sot se për SHBA-në është e rëndësishme që të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel të vihen në zbatim.
Hill tha se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është një nga to. Ai potencoi se Ascoaicioni duhet të jetë në mënyrë të duhur i zbatuar.
“Marrëveshjet e nënshkruara duhet të zbatohen. Asociacioni është një nga to. Serbët duhet ta dinë se cila do të jetë e ardhmja e tyre, në çfarë kushte do të jetë e organizuar jeta e tyre. Kështu që Asociacioni i komunave me shumicë serbe është shumë i rëndësishëm dhe duhet të jetë në mënyrë të duhur i zbatuar. Për probleme të tilla zgjidhja duhet të gjendet përmes procesit politik.
Kur janë në pyetje marrëveshjet, do të thoja që administrata amerikane dhe zoti Escobar, e kanë bërë të qartë se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara duhet të zbatohen”, tha Hill në një intervistë për mediumin serb, Telegraf.
Se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet të themelohet e tha dje edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
Hovenier, e ka bërë të qartë se ShBA kërkon që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, të bëhet patjetër.
Hovenier ka theksuar se në këtë drejtim nuk ka opsion, pasi tha se Asociacioni është një marrëveshje ligjërisht e obligueshme, dhe ky qëndrim i ShBA’së nuk do ndryshojë.
“Mbetet një qëndrim i qartë politik i SHBA-së. Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe s’ka opsion. Është një marrëveshje ligjërisht e obligueshme të cilën Kosova e ka marrë përsipër. Një marrëveshje ligjërisht e obligueshme që është konfirmuar nga Kuvendi i Kosovës. Shtetet nuk mund të vendosin se çfarë marrëveshje ligjërisht të obligueshme e implementojnë apo s’e implementojnë. Ato janë marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Kosova është një shtet që ndjek zbatimin e Ligjit”, tha ambasadori në një takim me gazetarë.












