
Historiani dhe profesori malazez në Universitetin e Albertës në Kanada, Sërxha Pavloviq, në një intervistë për rrjetin ndërkombëtar të lajmeve “Al Jazeera“, ka thënë se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, po përpiqet të krijojë modelin e Republikës Sërpska – entiteti serb në Bosnje-Hercegovinë – edhe në veri të Kosovës.
“Vuçiqi paguan koncesionet e tij duke pasur mbështetjen amerikane rreth krijimit të një versioni të Republikës Sërpska në veri të Kosovës, për të atomizuar territorialisht shtetin e Kosovës dhe për ta kthyer veriun në të ashtuquajturin konflik të ngrirë dhe të përgatisë terrenin për tregtimin e mëvonshëm të territoreve”.
Krizat nëpër të cilat po kalon Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja-Hercegovina, ka pohuar historiani malazez, janë një ilustrim i shkëlqyeshëm i pasojave negative të një qasjeje favorizuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Vuçiqit, i cili, sipas tij, do të mbahet mend si një “kalif rus”.
Prandaj, sipas autorit të disa librave me ese dhe monografi historike rreth Ballkanit, orekset rajonale politike dhe neo-imperiale të Vuçiqit po kënaqen në Kosovës, Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë, ndërsa rivalët e tij politikë po dënohen me sanksione dhe akuza për radikalizëm nga diplomatët perëndimorë, përcjell AP.
“Është e qartë se SHBA-të dhe gjithë Perëndimi politik kanë iluzionin se mund ta fusin Serbinë në kampin perëndimor përmes rubikonit politik, fetar dhe ideologjik. Kjo është një tjetër përpjekje në serinë e obsesioneve amerikane që iu ka kushtuar shumë banorëve të rajonit”.
Pavloviq ka komentuar edhe “Planin e Perëndimit” për të cilin ka shkruar fillimisht gazetari dhe njohësi i çështjeve politike, Janusz Bugajski, ku i referohej ndarjes së Ballkanit Perëndimor në tre sfera të ndikimit – Shqipërisë, Serbisë dhe Kroacisë – në koordinim me Bashkimin Evropian dhe SHBA-të.
“Në një këndvështrim më të gjerë, teza për ndarjen e re të sferave të interesit ndërmjet Serbisë, Kroacisë dhe Shqipërisë, nuk është pa bazë dhe pa vlefshmëri. Shtesa ime në atë tezë do të ishte se nuk bëhet fjalë për një ndarje të re, por për një ndarje të vjetër, e cila nuk është zbatuar më parë”.












