Avdullah Hoti, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka hedhur në mënyrë indirekte kritika ndaj Vjosa Osmanit, duke e cilësuar të njëjtën si ‘’turiste politike’’, dhe duke thënë se Osmani është ‘’e frustruar’’ dhe në kërkim të ‘’ofertës turistike politike të radhës’’.
Hoti, pa ia përmendur emrin Osmanit, ka thënë edhe se, ‘’koha po i nxjerr në dritë të gjitha të vërtetat’’.
Ky reagim i Hotit vjen pas intervistës së mbrëmshme të Vjosa Osmanit në një emision televiziv, e cila kishte kritikuar disa bashkëpartiakë, raporton Veriu.info.
Postimi i plotë:
Turizmi politik është aktivitet joetik në politikë. Koha po i sqaron të gjitha.
Kur mbaron sezoni i turizmit politik, mbetesh në rrugë, i frustruar, i nervozuar, deri sa të gjen ofertë turistike politike radhës.
Matrapazët politikë edhe mund ta gjejnë ndonjë ofertë. Por shtëpia nuk zëvendësohet me strehën e kundërshtarit, që të shfrytëzon për interesa të veta.
Sërish, koha po i nxjerr në ndritë të gjitha të vërtetat.















