Jeff Hovenier, ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka folur në lidhje me marrëdhënien e tanishme me Qeverinë e Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti. Në një konferencë për medie pas nënshkrimit të një marrëveshje në mes ShBA-së dhe Kosovës, që u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani, Hovenier foli për “sfidat” me të cilat po përballen ShBA-të dhe të tjerët me Qeverinë e Kurtit.
Në këtë konferencë, Hovenier vlerësoi se këto sfida kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit në mes ShBA-së dhe Kosovës. Tutje, Hovenier tha se shpreson që Qeveria e Kosovës do t’i kthehet angazhimti të ngushtë dhe konstruktiv me ShBA-të, BE-në e NATO-n.
“Shumë prej jush keni parë raporte në media për dallimet e tashme ndërmjet ShBA-së dhe anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare me Qeverinë e Kosovës për disa veprime, të cilat janë të udhëhequra me qeverinë e kryeministrit Kurti. Siç kam thënë edhe javën e kaluar, po përballemi me disa sfida me Qeverinë e tanishme, të cilat kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë. Është siç tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit më herët gjatë këtij muaji, Qeveria amerikane shpreson që Qeveria e Kosovës, po e citoj, “do t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me ShBA-në, BE-në, NATO-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”, fundi i citat” – tha ai.
Megjithatë, Hovenier vlerësoi se përkushtimi i ShBA-së ndaj popullit të Kosovës është po aq i fortë dhe i hekurt si gjithmonë.
“Edhe pse disa fusha të bashkëpunimit me qeverinë e tanishmë mbeten më pak pozitive sesa do të kishim shpresuar, përkushtimi i ShBA-së ndaj popullit të Kosovës po aq i fortë, i hekurt si gjithmonë” – tha ai.













