
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier në njëvjetorin e dorëzimit të letrave kredenciale të tij si ambasador tha se është krenar që është pjesë e përpjekjeve të SHBA-së gjatë dekadave për të mbështetur Kosovën.
Hovenier përmes një cicërime në Twitter tha se së bashku me ekipin e tij mbeten të përkushtuar për të avancuar prioritetet e përbashkëta dhe për të mbështetur partneritetin e qëndrueshëm midis Kosovës dhe ShBA-së.
“Krenar që jam pjesë e përpjekjeve të SHBA-së gjatë dekadave për të mbështetur Kosovën, por veçanërisht si ambasador i SHBA-së në Kosovë – tani për një vit të plotë. Ekipi im dhe unë mbetemi të përkushtuar për të avancuar prioritetet tona të përbashkëta dhe për të mbështetur partneritetin e qëndrueshëm midis Kosovës dhe ShBA-së”.
Hovenier, i cili luajti një rol në negociatat që përfundimisht çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, u emërua në këtë post nga presidenti Joe Biden në korrik 2021 dhe u konfirmua unanimisht nga Senati i ShBA-së më 18 nëntor.
Ai kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë së tij në Bellingham dhe shumë nga anëtarët e familjes së tij ende jetojnë në Whatcom County. Hovenier u transferua në Bellingham kur ishte në kopsht fëmijësh, pasi babai i tij mori një punë si profesor në Universitetin e Uashingtonit Perëndimor.
Përveç Kosovës dhe Turqisë, Hovenier ka shërbyer edhe në Gjermani, Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai, Peru, Serbi dhe Mal të Zi. Ai flet gjermanisht, greqisht, kroatisht dhe spanjisht dhe ka marrë çmime të shumta, duke përfshirë disa nga Qeveria e Kosovës.
Kjo është hera e parë që Hovenier shërben si ambasador i SHBA-së.












