Ish – deputeti i LVV-së, Fatmir Humolli ka folur pas deklaratave të Ambasadorit amerikan Hovenier, i cili tha se ka “besim të plotë si ndërmjetësuese e dialogut Kosovë-Serbi”. Humolli duke i komentuar deklaratat e ambasadorit amerikan ka theksuar se “të gjithë miqtë tanë i kemi vu në pozitë të keqe me veprime të gabuara” dhe shtoi se klasa jonë politike po bën veprime e në fund po kërkon shpëtim ku nuk ka mundësi për t’i shpëtuar.
Humolli në një prononcim për Gazeta Blic ka thënë se klasa jonë politike duhet të ketë qëndrim përballë presionit ndërkombëtar.
“Po s’kemi çka me vlerësu ndryshe, kur bashkësia ndërkombëtare e ka parë naivitetin e klasës sonë politike edhe ne i kemi vu në pozitë të keqe të gjithë miqtë tanë me veprimet të gabuara. Klasa jonë politike po bën veprime, e në fund po kërkon shpëtim ku nuk ka mundësi me i shpëtu. Duhet me pas qëndrim në klasën politike përballë presionit ndërkombëtar”, tha Humolli.
Ai theksoi se bashkësia ndërkombëtare nuk po i mbron interesat e Kosovës.
“Bashkësia ndërkombëtare për fat të keq është orientu jo duke i mbrojtur interesat e kombit tonë. Për këtë aryse kam kërkuar edhe nga institucionet tona për ta bërë një rivlerësim në kuptimin e analizës historike, në veprimet që janë bërë edhe mosveprimet që janë bërë prej popullit tonë në kontekst të rrethanave historike që janë zhvilluar për të marrë mësim për gjendjen aktuale. Pikëpamja ime politike është se populli ynë ka të drejtë të jetoj i lirë. Bashkësia ndërkombëtare nuk po i lejonë me jetu siç duhet, e ka lënë peng edhe Ballkanin. Bashkësia ndërkombëtare nuk e lejon me jetu të lirë Ballkanin, për shkak të lojërave politike që Ballkani sot është duke i vuajtur në tërësi edhe populli serb dhe ai shqipëtar, për shkak të interesave të ndryshme të cilat i kanë çështje të caktuara nga bashkësinë ndërkombëtare”, transmetoi ai.
Ai akuzon bashkësinë ndërkombëtare se është pjesë e krimeve që janë bërë në Ballkan për shkak të lojërave të tyre.
“Bashkësia ndërkombëtare për fat të keq ka dështuar ose është pjesë e krimeve që janë bërë në Ballkan për shkak të lojërave të tyre dhe tash ende klasa jonë politike po kërkon vlerësim te ata. Pa e vlerësu vetveten, kombi ynë, institucionet tona, derisa nuk e vlerësojnë vetveten për mua pak me rëndësi është cka thotë Ambasadori Amerikan”, përfundoi Humolli.