Nga sot, mallrat serbe kanë filluar të hyjnë në Kosovë me kontrolle manuale të sigurisë, pas vendimit të Qeverisë që të hiqet ndalesa e vendosur një vit më parë, shkruan GazetaDemos.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se pika kufitare në Merdar do të jetë e hapur menjëherë për hyrjen e mallrave serbe.
“Njoftim për pikë-kalimin kufitar në Merdarë. Bazuar në vlerësimin e situatës së sigurisë nga ana e MPB-së, në pikëkalimin kufitar Merdarë, për mallrat me origjinë nga Serbia do të kalohet nga faza e qarkullimit të kufizuar të mallrave në fazën e qarkullimit të mallrave me kontrolle manuale të sigurisë”.
“Andaj, me efekt të menjëhershëm, pika kufitare në Merdarë do të jetë e hapur për të gjitha mallrat, të cilat do t’i nënshtrohen kontrolleve manuale të sigurisë deri në funksionalizimin e skanerëve me rreze X. Pikat tjera kufitare me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat në momentin kur skanerët me rreze X bëhen funksional në ato pika kufitare”, ka thënë Sveçla përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.
Sipas tij, transportuesit e mallrave gjatë kësaj periudhe duhet të kenë parasysh këtë ndryshim dhe të bëjnë planifikimin e duhur të kohës së nevojshme për procedurat e reja të kalimit të pikës kufitare.













