
Banori i Prishtinës, Rrahim Konxheli të mërkurën ka dorëzuar padi kundër ndërmarrjes “Pozhegu Brothers”, dhe kallëzim penal kundër personit përgjegjës të të njëjtës ndërmarrje, tre inspektorëve dhe dy inxhinierëve të ndërtimtarisë.
Konxheli po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të aprovohet padia e tij si e bazuar, sipas të cilës i njëjti ka kërkuar kompensimin e dëmit material dhe jo material nga e paditura ndërmarrja në fjalë, raportoi “Betimi për Drejtësi”.
Ndërkaq, ai dorëzoi edhe kallëzim penal me pretendimin se personi përgjegjës i ndërmarrjes ”Pozhegu Brothers”, tre inspektorë dhe dy inxhinierë kanë konsumuar elementet e veprave penale, keqpërdorim në ekonomi, mashtrimi, prezantimi i dokumenteve falsifikuara dhe keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.
Pas dorëzimit të padisë në gjykatë, Konxheli për “Betimi për Drejtësi” ka thënë se e ka paditur ndërmarrjen “Pozhegu Brothers”, për shkak të disa deformimeve shumë të mëdha në mure të banesave.
Ai tregoi se kompanisë në fjalë, ua ka lëshuar tokën për banesa, dhe kishte marrë banesa në kompensim për këtë, në të cilat banesa i njëjti tha se pas një viti kur ishte vendosur në to ishin shfaqur plasaritjet në mure.
“Në banesa jam vendos në 2016-tën, më 29.11.2016 janë shfaq plasaritjet, e kom njoftu kompaninë Pozhegu me email, qaq larg shkon thotë mos mu kërcëno, çfarë kërcimi ky është?, po te njoftoj që banesat kanë fillu me u plasarit edhe ka ardh diku në 2016, ka ardh e ka shiku me Faton Carrin, inxhinierin e kompanisë, edhe i kanë vërejt, në 2017 kanë renovu, e kanë bo një renovim në rregull”, ka thënë Konxheli.
Ai tha se përsëri edhe në vitin 2018 ishin shfaqur plasaritje edhe më të mëdha të cilat përsëri ishin riparuar nga kompania “Pozhegu Brothers”.
Por, edhe pas riparimit të bërë në 2018-tën, ai tha se përsëri në vitin 2019 ishin shfaqur plasaritjet të murit, gjë për të cilin i njëjti tregoi se kishte shkuar në zyrën e “Pozhegu Brothers” për të arritur një marrëveshje.
“Përsëri në 2019, prapë janë shfaq plasaritjet edhe ma të madhja, edhe kam shku dikun në mars 2019 në zyre tek Pozhegu i kom thënë o zotni, hajde ulemi çka dojna me bo me këto banesa, unë st’lo me hi në banesën e riparume, se t’i po i riparon për sy e faqe, nëse do mi riparu banesat e bëjmë një marrëveshje të noteri 2 vjet garancion mi jep, nëse brenda dy vjete plasariten banesat ki me pagu 1 mijë euro metrin katror të banesave, s’ka dashtë me ni, m’ka thënë t’i paguajë 800 euro ndaq edhe qu lëshova zyrën,” ka thënë Konxheli.
Tutje, i njëjti tregoi se kishte bërë edhe kërkesa në inspeksionin e Komunës së Prishtinës të cilët sipas tij, kishin konstatuar se ka plasaritje të mureve.
E një konstatim i tyre, sipas tij nuk ishte përfillur dhe ishte bërë pranimi teknik, për të cilin ai tha se nuk kishte qenë në dijeni.
“Unë s’kam ditur kurgjo, na si palë që kemi qenë, që e kemi dhënë tokën asnjë s’kemi qenë të njoftuar që është i obligum brenda 30 dite me njoftu që certifikata e përdorimit është dhënë, s’na kanë njoftu, unë e kam marr atë kur kom ardh në gjykatë këtu kur kom bo kërkesë me pas prova” ka thënë Konxheli.
Kështu që, ai tha se gjykata kishte caktuar një ekspert gjyqësorë i cili sipas tij, pas shikimit në vendin e ngjarjes kishe përpiluar një raport në mënyrë shumë profesionale dhe ashtu edhe siç ka qenë ngjarja.
Në raportin e ekspertit gjyqësor ai tha se ka dy variante, sipas tij, njëra thotë “ më bë riparimin por me bo Instituti i Fakultetit Teknik, jo tjetër kush, ky zotnia m’ka thënë gojarisht se pranoj nuk e bëjë atë”, shtoi Konxheli.
“Edhe e dyta me bo pagesën sipas çmimit të tregut në Lagjen e Muhaxhirëve, në Lagjen e Muhaxhirëve çmimi është dikun 1 mijë e 500-600 euro për metër katror, ai m’ka thënë t’i jap 1200 euro, jo jo zotni, unë du blemi dy banesa, po don mi ble dy banesa në Lagje të Muhaxhirëve blej, katin e parë i kom pas blemi banesat unë pajtona” tha ai.
Po ashtu shtoi se, njëra banesë prej 2016-ës asnjëherë nuk është shfrytëzuar për shkak të plasaritjeve.
Ndryshe, Konxheli po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të aprovohet padia e tij si e bazuar, sipas të cilës i njëjti ka kërkuar kompensimin e dëmit material dhe jo material nga e paditura kompaninë “Pozhegu Brothers” SH.P.K.
Kjo pasi që paditësi Konxheli me datë 11 nëntor të vitit 2012 ka nënshkruar Kontratën për ndërtim të Përbashkët në cilësinë e shfrytëzuesit të përhershëm, respektivisht Bashkëpronar ½ e tokës urbane në vendin e quajtur Bedri Hala me Ndërmarrjen” Pozhegu Brothers”.
Sipas padisë, e paditura Ndërmarrja “Pozhegu Brothers” për ti ikur pagesës së qirasë në shumë prej 250 euro për muaj, sipas nenit 1.1 të aneksit të parë të Kontratës për Ndërtim të Përbashkët, ka dorëzuar çelësat pa u dhënë leja për shfrytëzim nga shërbimi përkatës i Komunës së Prishtinës.
Po ashtu në padi thuhet se raporti i inspeksionit nuk është lëshuar sipas gjendjes faktike të objektit.
“Bazuar në inspektimin final të Drejtoratit të Inspektimit edhe për kundër vërejtjeve që i ka evidentuar dhe konstatuar vetë Drejtori i Inspeksionit, të cilat i ka konstatuar në vendin e ngjarjes se ka gabime në ndërtim sipas standardeve të ndërtimtarisë”, thuhet tutje në padi.
Paditësi po kërkon që të obligohet e paditura ndërmarrja “Pozhegu Brothers” SH.P.K të veprojë sipas ekspertizës nga lëmia e ndërtimtarisë, të ekspertit inxhinier të ndërtimtarisë, Qazim Fazlia.
Sipas së cilës ekspertizë duhet të i kompensohet në emër të qirasë vlera prej 250 euro për banesë, për muaj nga data e renovimit të parë të qarjeve të mureve, ngase që atëherë nuk janë shfrytëzuar.
Po ashtu, të obligohet e paditura të i paguaj shpenzimet procedurale të procedurës kontestimore dhe shpenzimet e procedurës jashtëkontestimore.
Gjithashtu, Konxheli ka dorëzuar edhe kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Këtë kallëzim penal Konxheli e dorëzoi kundër Qemajl Pozhegut, person përgjegjës në ndërmarrjen “Pozhegu Brothers” SH.P.K, Artan Ajeti, Arsim Sylejmani dhe Bedri Gërdovci në cilësinë e inspektorëve të ndërtimit pranë Drejtorisë së inspektoriatit të ndërtimit në Komunën e Prishtinës.
Po ashtu në këtë kallëzim penal përfshihen edhe Rexhep Salihu dhe Faton Qorri në cilësinë e inxhinierëve të ndërtimtarisë.
Sipas Konxhelit të lartcekurit me veprimet e tyre kanë konsumuar elementet e veprave penale keqpërdorim në ekonomi, mashtrimi, prezantimi i dokumenteve falsifikuara dhe keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.
“Pozhegu Brothers” thotë se do t’i ndjekë rrugët ligjore pas padisë dhe kallëzimit penal që një qytetar dorëzoi në gjykatë e prokurori
Ndërmarrja “Pozhegu Brothers” SH.P.K, thotë se janë në dijeni për padinë që banori Rrahim Konxheli e ka dorëzuar në gjykatë ndaj tyre dhe se do t’i ndjekin të gjitha rrugët ligjore lidhur me këtë.
Qytetari Konxheli, të mërkurën ka dorëzuar padi kundër ndërmarrjes “Pozhegu Brothers”, dhe kallëzim penal kundër personit përgjegjës të të njëjtës ndërmarrje, tre inspektorëve Artan Ajeti, Arsim Sylejmani dhe Bedri Gërdovci dhe dy inxhinierëve të ndërtimtarisë Rexhep Salihu dhe Faton Qarri, dhe po kërkon kompensim dëmi material dhe jomaterial, për shkak të disa deformimeve në mure të banesave.
Shefqet Pozhegu, si person përgjegjës në këtë ndërmarrje, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, se janë në dijeni për padinë e dorëzuar në gjykatë nga Konxheli dhe se do të ballafaqohen me të në mënyrë ligjore.
“Po, na ka tregu ai neve që ka me pas një padi, i kena thënë na me shku edhe në kallëzim penal, edhe mundesh me i ndjek instancat ligjore qysh po don ai”, tha Pozhegu.
I njëjti ka thënë se i ka dy opsione lidhur me padinë e lartpërmendur, t’ia japë paditësit paratë e kërkuara ose të ballafaqohet në prokurori e gjykatë.
“Pas kësaj, m’u mbrojtë në mënyrë ligjore m’u ballafaqu, dy mundësi i kom ose me ia qit paret 1 mijë e 600 euro që i ka kërkuar ai për metër katror, ose me shku në prokurori e gjykatë”, ka shtuar tutje Pozhegu.
Sipas tij, ka një kontratë të ndërtimit të përbashkët, por që afati i garancionit të banesave ka skaduar.
“Ka kontratë të ndërtimit të përbashkët, ka skadu afati i garancionit të banesave, afati i mureve, kanalizimit, ujit, çdo investim që e kemi bërë d.m.th ka skadu, edhe dakordimi që e kena bo d.m.th na për m’i ble banesat herë ka thënë 1 mijë euro, herë ka thënë 1 mijë e 200 euro, e tash po thotë 1 mijë e 600 euro”, ka thënë Pozhegu.
Mirëpo, sipas tij në atë lagje çmimi për metër katror është 1 mijë e 200 euro.
Tutje, Pozhegu ka thënë se diku para 2-3 muajve ka dalë një ekspertizë gjyqësore, në të cilën thuhet se “na duhet me i renovu banesat, se s’ka zgjidhje tjetër”.
“Në qoftë se ai lejon me i hy në banesë, na shkojmë, ai tash nuk po na lejon, ai po lyp 1 mijë e 600 euro”, vazhdoi tutje Pozhegu.
“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe me inxhinierin e ndërmarrjes “Pozhegu Brothers”, Faton Qarri, emri i të cilit përmendet në kallëzimin penal të dorëzuar nga Konxheli, por i njëjti tha se nuk është në dijeni për dorëzimin e kallëzimit penal ndaj tij.
“Jo nuk jam në dijeni, të lutem me investitorin bisedoni, unë jam punëtor në këtë firmë”, ka thënë Qarri.
Kurse, i pyetur se çka do të ndërmarrë tutje lidhur me këtë, ai tha se tani për tani nuk është në gjendje të flasë për këtë.
“Betimi për Drejtësi” ka dërguar edhe kërkesë për informata në Inspektoratin e Komunës së Prishtinës lidhur me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij raporti, nuk kemi pranuar një përgjigje nga të njëjtit.











