I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Kosova duhet të përmbushë kërkesat perëndimore për çështjen targave të makinave dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë i është bërë e qartë se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës është e padobishme.
Në një intervistë me Zërin e Amerikës, zoti Escobar e vlerësoi mjaft të rrezikshme situatën në veriun e Kosovës ku institucionet vendase kanë mbetur pa punonjës serbë, të cilët u tërhoqën për shkak të mospajtimeve me vendimin e qeverisë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.











