Qytetarët që lajmërojnë rrejshëm në Polici për çfarëdo rasti rrezikojnë të futen në sherr me ligjin dhe të dënohen edhe me burgim. Raste të tilla nuk janë të rralla dhe shpesh motivet lidhen me synimin për të përfituar duke mashtruar.
Kështu po dyshohet se ka vepruar edhe një 21-vjeçar në Prishtinë, i cili në muajin dhjetor të vitit të kaluar ka raportuar rrejshëm se ishte cak i grabitësve, raporton Gazeta Sinjali.
Për këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj të riut, i cili po dyshohet se ka kryer veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”. I dyshuari G.S., më 18 dhjetor e kishte denoncuar rastin në Polici, ku kishte raportuar gjoja se një person i markuar ia kishe grabitur çantën e krahut në të cilën kishte armën.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se rasti u zbulua derisa Policia po ndërmerrte veprimet e nevojshme hetimore, pas denoncimit të të dyshuarit. Raportimi i tij aktivizoi Policinë për të mbledhur informacione në lidhje me grabitje, por që nuk u gjetën prova që dëshmonin rastin. Kjo bëri që Prokurori i Shtetit të urdhërojë që i dyshuari të merret sërish në deklaratë në lidhje me rastin.
Gjatë intervistimit nga hetuesit policorë, i dyshuari e ka pranuar që askush nuk e ka grabitur, por motivi që e shtyri të denoncojë rastin ishte se arma i kishte humbur dhe kishte frikë së në rast se e njofton punëdhënësin, i njëjti do ta largonte nga puna.
Tentativa për të zgjidhur problemet dhe për ta fshehur humbjen e armës duke vepruar kundërligjshëm i kushtoi të dyshuarit me arrestim. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka lëshuar iniciuar rastin për veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”.













