Jo rrallëherë kosovarët janë futur në sherr me Policinë pasi kanë tentuar të mashtrojnë duke u prezantuar si persona zyrtar. Prezantimi i rrejshëm si zyrtar, duke mbajtur pa autorizim shenja të personave zyrtarë përbën vepër penale dhe dënohet edhe me burgim.
Për një rast të tillë që u denoncua mbrëmë pas mesnate, ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet kanë bërë me dije për Sinjalin se rasti këtë herë ka ndodhur te diskoteka Lit në kryeqytet, ku një punëtor i sigurimit ka denoncuar në Polici se një 29-vjeçar, i cili ishte prezantuar rrejshëm se është zyrtar i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Bazua në dëshminë e sigurimit të dhënë para Policisë, kishte shkuar deri te diskoteka dhe para se të hynte ishte prezantuar se është nga AKI, me ç’rast ka shfaqur një distinktiv (Shenjë dalluese prej metali që e mbajnë anëtarët e një organizate apo agjencie).
Kjo ka bërë që viktima ta njoftojë menjëherë Policinë, me ç’rast i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë, duke e mohuar se është prezantuar si pjesëtar i AKI-së.
Me rastin e arrestimit, nga i njëjti është konfiskuar distinktivi, teksa Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve ndaj të dyshuarit në drejtim të veprës penale “Prezantim i rremë”.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që prezantohet rrejshëm dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit dhe nëse një vepër e tillë bëhet me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet.












