Një 25-vjeçar u plagos me armë zjarri mbrëmë në Vushtrri nga i dyshuari Brahim Bunjaku i cili e qëlloi katër herë, duke i shkaktuar lëndime trupore. Përleshja, motivet e së cilës ende nuk dihen, ndodhi rreth orës 21:35, kur i dyshuari doli nga një veturë, e shau viktimën dhe e gjuajti. Sinjali mëson se Policia u njoftua për të shtënat me armë nga një dëshmitar, i cili ishte në vendin e ngjarjes, në momentin kritik.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari para se ta qëllonte, iu është drejtuar viktimës me fjalët “krejt robtë t’i q*” dhe pa një pa dy ka shkrepur armën katër herë.
I riu u plagos në të dy këmbët, për çka mori trajtim fillimisht në Emergjencën e Spitalit të Vushtrrisë e më pas është transferuar për në QKUK.
Në vendin e ngjarjes Policia ka gjetur dhe konfiskuar katër gëzhoja, ndërsa nga i dyshuari në momentin e arrestimit është sekuestruar edhe arma që e ka përdorur në rast.
Gjatë përleshjes me armë, një predhë e plumbit ka rënë në dritaren e një shtëpie, por fatmirësisht nuk ka pasoja në njerëz.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ngarkohet me veprën penale “vrasje në tentativë”
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.













