
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka kërkuar edhe një herë që komunave të Kosovës t`u kthehen mjetet e vitit të kaluar, pasi që ato i takojnë me ligj komunave.
Ibrahimi e ka akuzuar Qeverinë dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, se ka tentuar t’i marrë 100 milionë euro nga komunat.
Ai tha në RTK se po të miratohej ligji ashtu siç ministri Murati kërkonte, atëherë komunave do t’u merreshin rreth 100 milionë euro.
“Në ligjin e miratuar nga Parlamenti, thuhej se mjetet financiare të pashpenzuara të vitit 2022 mund të barten. Vetëm këtë vit ka ndodhur që niveli qendror synimin e ka pasur që t’ia marrë komunave këto mjete, ku shuma totale do të ishte 100 milionë euro, por me ndryshim e fundit, pas kërkesës edhe të kryetarëve të komunave, tash kanë mbetur rreth 37.5 milionë euro, mjete të cilat kanë mbetur pezull nga niveli qendror”, ka thënë Ibrahimi.
Sipas tij, edhe pse kanë bërë kërkesë për kthimin e këtyre mjeteve, ende nuk ka ndonjë përgjigje nga institucionet e Kosovës. Ibrahimi bëri me dije se shumica e komunave janë të prekura me këtë problem.
Ai tha se Komuna e Prishtinës është prekur me 29 milionë euro, por edhe komunat e tjera janë të prekur. Ibrahimi thotë se ky është një problem që do të nxjerrë shumë telashe në shumë projekteve të ndryshme.











