Sot është raportuar se në mesin e 23 personave, mbetjet mortore të të cilëve janë zhvarrosur së fundmi në Mitrovicë, janë identifikuar edhe Adem Beqiri dhe Idriz Rrreci, veprimtarë të njohur të çështjes kombëtare, si dhe Sali Mziun, me profesion bujk.
Sinjali ka kontaktuar njërin nga njerëzit më të afërt të Adem Beqirit, profesor Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese,i cili ka rrëfyer për Gazetën Sinjali detaje nga veprimtaria e Beqirit.
“Adem Beqiri dhe i gjithë ai grup i të vrarëve kanë qenë aktivistë të devotshëm të çështjes kombëtare, të cilët janë vrarë në mënyrë të planifikuar nga shteti serb, si hakmarrje për rezistencën e tyre ndaj okupimit”, tha ai,
Hasani ka treguar se bashkë me Beqirin, gjatë viteve ’90, kanë ndihmuar në largimin nga kazermat e Mitrovicës të ushtarëve kroatë, boshnjakë dhe shqiptarë që nuk dëshironin të shkonin në luftë.
“Me dhjetëra kroatë e boshnjakë, si dhe dy shqiptarë nga Mali i Zi, i kemi nxjerrë bashkë me Ademin dhe i kemi dërguar në Shkup. Atje më pas vinin familjarët e tyre dhe i merrnin. Të gjitha shpenzimet i mbulonte Ademi”, ka treguar Hasani për Gazeta Sinjali.
Sipas tij, një pjesë e ushtarëve boshnjakë dërgoheshin përtej Liqenit të Ujmanit, ku më pas i merrnin familjarët e tyre.
Hasani e ka përshkruar këtë si një veprimtari jashtëzakonisht të rrezikshme, duke treguar se ushtarët serbë ua qethnin flokët ushtarëve në mënyrë që të dalloheshin kur dilnin në qytet.
“Unë dhe Ademi shkonim natën te kazermat. Gjatë ditës takoheshim me ushtarët në qytet dhe merreshim vesh me ta për kohën dhe mënyrën e largimit. Ne i merrnim natën dhe i strehonim nëpër fshatrat e Mitrovicës për dy apo tri javë, derisa t’u rriteshin pak flokët. Pastaj ua siguronim dokumentet e falsifikuara të identifikimit dhe i nxirrnim jashtë Kosovës”, ka deklaruar ai.
Sipas Hasanit, Ademi kishte edhe mundësi financiare për ta mbështetur këtë veprimtari.
“Ademi kishte një makinë Renault. Në atë kohë, pak njerëz kishin makina. Ai ishte edhe në gjendje të mirë ekonomike dhe nuk kurseu asgjë për çështjen kombëtare”, ka thënë Hasani.
“Adem Beqiri ishte aktivist i paepur”
Hasani ka treguar se Beqirin e kishte njohur që nga dita e parë e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë.
Ai ka qenë sekretar i Degës së LDK-së në Mitrovicë, ndërsa Beqiri, sipas tij, ishte aktivist i nëndegës “Qendra”.
“Me Ademin, sa kam qenë në Kosovë, vetëm gjumi më ka ndarë”, ka rrëfyer Hasani për Gazeta Sinjali.
Ai ka thënë se kontributi i Beqirit nuk mund të përmblidhet në një intervistë, duke shprehur shpresën që një ditë të realizohet një dokumentar për grupin e intelektualëve të vrarë të Mitrovicës.
Duke folur për rëndësinë e identifikimit të mbetjeve mortore, Hasani ka thënë se bëhet fjalë për një fragment të historisë së dhimbshme të Kosovës.
“Megjithatë, ka një peshë shumë të madhe, sepse dëshmon për terrorin masiv shtetëror serb ndaj inteligjencës së Kosovës”, ka deklaruar ai.
Hasani ka treguar se ka njohur nga afër pothuajse të gjithë personat që, sipas tij, supozohet se janë varrosur në varrezën masive të zbuluar së fundmi.
Në mesin e tyre, ai ka përmendur edhe Idriz Rrecin, me të cilin kishte qenë mik, i cili po ashtu është identifikuar në mesin e 23 personave nga zhvarrimet në Mitrovicë.
“Me Idriz Rrecin për herë të fundit jemi takuar në fshatin Uçë të Istogut, në varrimin e tre dëshmorëve të vrarë në mbrojtje të shkollës shqipe”, ka treguar Hasani.
Ai ka rrëfyer se atë ditë, si sekretar i LDK-së për Mitrovicë, ndërsa Rreci si kryetar i LDK-së për Skenderaj, kishin mbajtur fjalimet mortore.
Në fund, Hasani u ka bërë thirrje familjeve të personave të zhdukur që të qëndrojnë të forta dhe krenare për të afërmit e tyre.













