
Dje u raportua për arrestimin e dy personave të mitur të cilët po bënin kërdi me vjedhjen e trotinetëve elektrikë në Pejë. Në stacion policor ata kanë rrëfyer se në bashkëkryerje me një person të rritur, kanë kryer disa vjedhje nëpër qytet.
Pas veprimeve hetimore, Policia ka arritur që ta arrestojë personin e tretë i cili ndodhej në arrati. Sinjali mëson nga burimet e veta se bëhet fjalë për 21-vjeçarin, Qëndrim Murati.
Murati bashkë me dy të miturit, dyshohet se cak për vjedhje i kishin trotinetët elektrikë dhe biçikletat, të cilat me qëllim të përfitimit pasuror i shisnin te persona të tretë. Të gjithë dëshmitarët që kanë blerë trotintetët nga të dyshuarit, janë intervistuar në Polici.
21-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Vjedhje e rëndë’.
Me urdhër të prokurorit, Muratit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.












