Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka lëshuar paralajmërim meteorologjik të nivelit portokalli për të gjithë territorin e Kosovës, duke njoftuar se gjatë së mërkurës priten stuhi të fuqishme të shoqëruara me bubullima, reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta me karakter stuhish.
Sipas IHMK-së, gjatë ditës priten zhvillime të fuqishme konvektive, të cilat mund të paraqesin rrezik për qytetarët, infrastrukturën dhe mjedisin.
Instituti paralajmëron se stuhitë mund të shkaktojnë goditje rrufesh, me rrezik për njerëzit dhe kafshët, dëmtime në rrjetin elektroenergjetik dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, si dhe probleme në rrjetet e telekomunikacionit.
Po ashtu, reshjet intensive mund të shkaktojnë përmbytje të shpejta lokale, ndërsa breshëri dhe erërat e forta mund të dëmtojnë objekte, automjete, infrastrukturë dhe kultura bujqësore. Sipas institutit, shkarkimet atmosferike mund të rrisin edhe rrezikun për shpërthimin e zjarreve.
IHMK u bën thirrje qytetarëve që të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë stuhive, të mos strehohen nën pemë të vetmuara, pranë shtyllave elektrike apo objekteve metalike, të mbrojnë automjetet dhe pronën nga breshëri dhe erërat e forta, si dhe të tregojnë kujdes të shtuar në komunikacion për shkak të dukshmërisë së reduktuar dhe rrugëve të rrëshqitshme.













