Përfaqësuesit e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj dhe Betim Musliu, vizituan sot Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ku u pritën nga kryetari Hysni Gucati, nënkryetarët Gazmend Syla dhe Fatmir Sopi, si dhe këshilltari ligjor i OVL të UÇK-së, avokati Gafurr Elshani.
Në takim u diskutuan çështje me interes të veçantë për kategoritë e dala nga lufta, përfshirë ndihmën juridike falas që ofron Qendra për Ndihmë Juridike Falas e IKD-së.
Palët shprehën shqetësimin lidhur me moszbatimin nga Departamenti i Pensioneve, në kuadër të Ministrisë së Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare (MPFVLÇ), të aktgjykimeve lidhur me pensionet e kategorive të dala nga lufta. Këto aktgjykime u njohin qytetarëve të drejtën për pension të dyfishtë.
Veçanërisht shqetësuese janë rastet kur, pavarësisht se qytetarëve u është njohur kjo e drejtë me aktgjykime të formës së prerë, Ministria vazhdon t’ua ndërpresë atë, duke nxjerrë vendime të reja të mbështetura në të njëjtat arsye faktike dhe juridike që tashmë janë shqyrtuar dhe refuzuar nga gjykatat.
Këto veprime jo vetëm që bien ndesh me autoritetin e vendimeve gjyqësore dhe parimin e çështjes së gjykuar (res judicata), por krijojnë një situatë në të cilën administrata publike, në vend që t’i zbatojë vendimet e gjykatave, i detyron qytetarët të përballen me procedura të përsëritura administrative dhe gjyqësore për të njëjtën çështje, duke cenuar rëndë sigurinë juridike dhe efektivitetin e mbrojtjes gjyqësore.
Gjatë takimit, IKD-ja i informoi përfaqësuesit e OVL të UÇK-së lidhur me nismën legjislative qytetare, përmes së cilës do t’i kërkohet Kuvendit të Republikës së Kosovës që t’i shqyrtojë dhe miratojë ndryshimet e propozuara në kodin penal, me qëllim të vendosjes së:
përgjegjësisë penale për moszbatimin e qëllimshëm, nga personat përgjegjës, të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese; dhe
përgjegjësisë penale për përdorimin e parasë publike për përfitime elektorale gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore.
IKD-ja kërkoi nga OVL e UÇK-së që ta përkrahë këtë nismë, qëllimi parësor i së cilës është promovimi i parimeve të sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë. OVL e UÇK-së e konfirmoi përkrahjen për këtë nismë.
Në takim u diskutua dhe u arrit pajtim i dyanshëm edhe lidhur me mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së. Palët u pajtuan se këto vlera mund dhe duhet të ruhen e të respektohen përmes inicimit dhe miratimit të ligjit për mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.











