Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në 13 vendpunishte në komunat e Prishtinës dhe Fushë Kosovës, pas inspektimeve të zhvilluara në kuadër të mbikëqyrjes së zbatimit të legjislacionit të punës dhe sigurisë e shëndetit në punë.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, gjatë kontrolleve janë evidentuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat rrezikonin seriozisht jetën dhe shëndetin e punëtorëve.
“Gjatë këtyre inspektimeve janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve”, thuhet në njoftim.
Për shkak të mungesës së masave të nevojshme të sigurisë në punë, Inspektorati ka urdhëruar ndërprerjen e menjëhershme të punimeve në 13 vendpunishte, derisa të eliminohen të gjitha parregullsitë e evidentuara.
“Për shkak të mungesës së masave të nevojshme të sigurisë në punë, Inspektorati Qendror i Punës ka marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të punimeve në 13 vendpunishte, deri në eliminimin e të gjitha parregullsive të evidentuara”, theksohet më tej.
Inspektorati u ka bërë thirrje të gjithë punëdhënësve që të zbatojnë me përpikëri dispozitat ligjore dhe të garantojnë kushte të sigurta pune për punëtorët.
“Inspektorati Qendror i Punës u bën thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë në mënyrë rigoroze dispozitat ligjore dhe të sigurojnë kushte të sigurta pune, pasi mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punëtorëve mbetet prioritet i panegociueshëm”, përfundon njoftimi.














