Veriu i Kosovës, tashmë po fillon të ketë interesim të madh për hapjen e bizneseve nga më të ndryshmet.Duke filluar nga biznese për shitje me pakicë të produkteve ushqimore si dhe joushqimore, pika të karburanteve, restaurante e biznese të tjera. Kështu tha në një intervistë dhënë për GazetaBlic, Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini.
Shahini thotë se ka një interesim të madh nga bizneset që të kalojnë në pjesën veriore, dhe që sipas tij, AKB-ja është në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme që këto biznese t’i promovojnë dhe të ju ofrojnë siguri në lidhje me investimet e tyre.“Shumë biznese tash janë të interesuar, kanë blerë prona edhe përmës procesit të privatizimit edhe prona private janë duke hap biznese të ndryshme, qoftë biznese për shitje me pakicë të produkteve ushqimore dhe joushqimore, qoftë pikave të karburanteve, qoftë të restuaranteve e shërbime të tjera. AKB-ja dhe Ministria e Punëve të Brendshme, z.Sveçla me të cilin kemi memorandum bashkëpunimi në këtë drejtim, jemi në komunikim të vazhdueshëm në mënyrë që t’i promovojmë atje që nesër të shkojnë të ju ofrojmë siguri për investimet e tyre dhe është një interesim i madh i bizneseve për të kaluar andej. Në veri janë shumë më të lira pronat sesa në jug dhe kjo është një çështje që bizneseve po ju intereson. Nuk ka të bëjë këtu me asgjë tjetër përpos me investime të reja”, u shpreh ai.
E, Shahini i pyetur se si do të ndikojnë këto biznese në procesin e punës, vlerëson se do të ketë ndikim pozitivisht, pasiqë këto investime do t’a ndryshojnë dukshëm qëndrimin e komunitetit serb në institucione dhe në biznese.
Sipas tij, arsyeja se pse duhet të merret pozitivisht qëndron tek ura e Ibrit e cila ka humb rëndësinë e saj strategjike, si për serbët ashtu edhe për shqiptarët.
“Do të ndikojë pozitivisht sepse ashtu siç ne e kemi thënë se vetëm përmes biznesit të ekonomisë mund të integrohet veriu pra, përmes investimeve. Me siguri që kjo ka me ndryshu dukshëm, edhe qëndrimin e komunitetit ndaj institucioneve, bizneseve dhe kjo është gjë pozitive, për arsyeje se ne atje po shkojmë të investojmë, po shkojmë të bashkëpunojmë, e që puntorët do të jenë shumica nga komuniteti serb, boshnjak dhe të tjerë. Investimet do të jenë të përbashkëta në momente të caktuara, por, edhe individuale si dhe akcionare. Por, kjo mendoj duhet të shikohet dhe të merret si pozitive, për arsyeje se në atë pjesë tashmë ura e ndarjes së Ibrit e ka humb rëndësinë e vet strategjike për serbët edhe për shqiptarët, e ata betona kanë mbetur aty vetëm fizikisht, kurse integrimi është duke ndodhur për çdo ditë”, potencoi ai.Ndër të tjera, krytari i ABK-së thekson se edhe institucionet qendrore janë të interesuara për të mbështetur të gjithë ata që janë të interesuar për hapjen e bizneseve në veri të vendit, dhe se dëshirë e tyre është integrimi përmes këtyre investimeve, vendeve të punës, punësimeve e të tjera.
“Institucionet qendrore janë të interesuara për të mbështetur të gjithë ata që janë të interesuar për të investuar në Kosovë. Ne dëshirojmë që veriun ta integrojmë përmes investimeve, përmes punësimeve, hapjeve të vendeve të punës, prodhimit dhe të shkojnë deri atje ku një ditë do të diskutohet për çështjen e privatizimit të Trepçës”, përfundoi ai.













