Çmimet e naftës të hënën u rritën për rreth 6 për qind, përderisa Irani i shtoi sulmet ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe dhe anijeve në Gjirin Persik gjatë 24 orëve të fundit, përshkallëzimi më serioz që nga hyrja në fuqi e armëpushimit ShBA – Iran në fillim të prillit.
Çmimi i një fuçie me naftë të papërpunuar në bursën “Brent” u rrit për 6,79 dollarë ose 6,3 për qind dhe shkoi në 114,96 dollarë për fuçi, ndërsa në bursën WTI, çmimi u rrit për 4,23 dollarë ose 4,2 për qind dhe shkoi në 106,17 dollarë për fuçi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Një anije jugkoreane u godit nga një shpërthim të hënën në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa dronët iranianë shkaktuan një zjarr në një port nafte të Emirateve të Bashkuara. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se forca detare amerikane do ta hapë Ngushticën e Hormuzit.
Ushtria amerikane tha se shkatërroi gjashtë anije të vogla iraniane dhe pengoi raketa e dronë iranianë, përderisa ShBA-ja nisi një operacion për çlirimin e lundrimit nëpër Ngushticën e Hormuzit, tha të hënën admirali Brad Cooper, komandant i Komandës Qendrore.
Në anën tjetër, zyrtarët ushtarakë iranianë mohuan se anije të vogla iraniane janë fundosur.
Përpos anijes nga Koreja e Jugut, Irani mund të ketë sulmuar edhe katër anije të tjera në rajon gjatë 24 orëve të fundit. Më herët, Emiratet e Bashkuara e akuzuan këtë shtet për sulm me dronë ndaj një anije cisternë të pangarkuar, në pronësi të kompanisë shtetërore të naftës, ADNOC, kur ajo po përpiqej të kalonte transit nëpër Ngushticën e Hormuzit.














