Analisti politik, Branimir Kërstiq, i është përgjigjur me ironi pyetjes, se çka i dallon serbët e veriut nga e gjithë bota për të qenë të vetmit që nuk paguajnë rrymën të cilën e shpenzojnë.
“Meqë serbët janë popull qiellorë, rryma atyre iu vije nga Zoti”, ka thënë Kërstiq.
Sipas tij, nuk janë vetëm serbët në veri që nuk paguajnë për rrymën e harxhuar, por edhe shqiptarët, të cilët siç tha ai, përbëjnë 15 për qind të popullsisë në veri.
Ai shtoi se deri vonë ka pasur donacione, sidomos nga shtetet nordike për rrymën në veri, mirëpo me ardhjen e qeverisë së re në pushtet, këto donacione janë ndërprerë dhe fatkeqësisht qytetarët e Kosovës, përjashtuar këtu pjesën veriore, ndihen të vjedhur dhe të pabarabartë në raport me qytetarët e veriut.
“Sa i përket serbëve në veri të Kosovës, shumica prej tyre mendojnë se rryma është nga Zoti. Kështu që meqë serbët janë popull qiellor, kjo rrymë atyre iu vjen nga Zoti.… Atë që qytetarët e Kosovës nuk duan ta shohin, e që është realitet, është se 15 për qind e qytetarëve në veri të Kosovës janë shqiptarë, të cilët poashtu nuk e paguajnë energjinë. Rryma definitivisht nuk është nga Zoti dhe kjo është e qartë për secilin dhe unë mendoj që nëse deri tani kanë ekzistuar buxhetet e shteteve nordike, nëse deri tani shteti i Serbisë ka dhënë donacion për energjinë e harxhuar, me ardhjen e qeverisë së Albin Kurtit donacionet e tilla nuk janë më dhe shoqëria kosovare, përkatësisht secili qytetar në Gjilan, Prishtinë etj, për fat të keq ndihet i vjedhur dhe jo i barabartë në raport me qytetarët në veri”, ka thënë Kërstiq për kp.












