Ish-drejtori i burgjeve të Kosovës, Sokol Zogaj, ka folur për të arratisurin nga Burgu i Smrekonicës, Faton Hajrizin, i cili së fundi po dyshohet edhe për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri.
Zogaj tha se Hajrizin e njeh tash e një kohë të gjatë, pasi tha se ai ka kaluar nëpër të gjitha burgjet e Kosovës, teksa atë e quajti edhe si person inteligjent.
“Është shumë interesant, në bisedën e parë ta jep përshtypjen se te ky procesi i risocializimit është 100%. Është inteligjent. Mandej, familjarët i ka pasur shumë në përkrahje, kam biseduar disa herë me babanë e tij dhe ka qenë i interesuar që djali i tij të kthehet në rrugë të mbarë. Prindërit e tij kanë ndikuar pozitivisht”, tha ai në Rubikon në Klan Kosova.
Por, Zogaj tha se nuk i beson deklarimeve që Faton Hajrizi i pati bërë në rrjetin social TikTok se ka ikur nga Burgu i Smrekonicës për shkak të kushteve të këqija dhe provokimeve.
“Sa unë kam qenë, ne e patëm hartuar një rregullore për kalimin e të burgosurve nga tipi i mbyllur në tip të hapur nga Qendra Korrektuese në Dubravë. E patëm kufizuar që t’i ketë edhe dy vjet pa e kryer burgimin dhe të ketë sjellje të mira dhe atëherë ta fitojë të drejtën për të shkuar në Smrekononicë, një burg i hapur që i ka pasur të gjitha privilegjet”.
“Ai mund të ankohet e të thotë se e kanë provokuar, unë mund t’i besoj të gjitha por këtë se e kanë provokuar në Smrekonicë, se ka qenë ushqimi i dobët në Smrekonicë, për këtë nuk besoj. Në Smrekonicë pjesa më e madhe janë edhe të moshuar”, tha Zogaj.
Ai tregoi se rasti i Faton Hajrizit është i rrallë në Evropë, pasi tha se i ka vizituar rreth 80% të burgjeve në Evropë, por rast me ikje më shumë se të tij s’ka.
“Diku 80% të burgjeve nëpër Evropë i kam vizituar, dhe rast të tillë që të ketë aq shumë ikje, vetëm në ndonjë Ugandë a në dreq të mallkuar, a këtu s’kemi pasur kësi raste”.













