Ish kryeministri Avdullah Hoti ka bërë një postim në profilin e tij në Facebook për diskutimet e sotme në Bruksel por si duket pa qenë i informuar në lidhje me qortimet që i bëri kryediplomati i BE-së Josep Borrell para disa minutave.
Hoti ka shkruar se ishte gabim të diskutohej me Serbinë në Bruksel e të mos dëgjoheshin këshillat e ShBA-ve për shtyrjen e vendimit për targa.
Ai është shprehur se “kjo situatë i përshtatet Serbisë, jo neve” në fund të statusit të tij.
“Edhe pse Kosova është në të drejtën e saj kur insiston në vendosjen e ligjshmërisë, kjo qasje na kthen prapa tek dialogu teknik për kthim të serbëve në institucione, tek dialogu për menaxhim të situatave, e jo dialog për marrëveshje finale për njohje reciproke.” – thotë Hoti, por duket se situata është edhe më keq se në përshkrimet e tij.
Kjo pasi Josep Borrell u shpreh se do të informojë shtetet anëtare të BE-së dhe partnerët për sjelljen e palëve, e në veçanti të Kosovës.
Ai tha se kishte dhënë një propozim që ishte pranuar nga ana e Vuçiqit, por jo edhe nga ana e Kurtit.
Statusi i plotë i z. Hoti:
Në vend që të dëgjohen këshillat e amerikanëve lidhur me vendimin për targat, negociohet me Serbinë në Bruksel!!!
Në vend që t’iu lihet kjo punë në dorë amerikanëve dhe të ndiqen këshillat e tyre për të përmbyllur dialogun, krijohen tensione në teren pavarësisht se Kosova është në të drejtën e saj për të zbatuar ligjshmërinë.
Tash duhet të negociohet në Bruksel për të zgjidhur problemet, e jo për të përmbyllur marrëveshjen.
Kjo qasje nuk shpie askund.
Edhe pse Kosova është në të drejtën e saj kur insiston në vendosjen e ligjshmërisë, kjo qasje na kthen prapa tek dialogu teknik për kthim të serbëve në institucione, tek dialogu për menaxhim të situatave, e jo dialog për marrëveshje finale për njohje reciproke. Kjo situatë i përshtatet Serbisë, jo neve.













